Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës shpreh shqetësim për dhunën e ushtruar gjatë protestës së sotme në Mitrovicë, ku si pasojë e sulmeve dhe përdorimit të gasit lotësjellës, mbetën të lënduar gazetarët, Behar Mustafa nga BIRN, Faton Ismajli nga Gazeta online Express dhe korrespodenti i Gazetës “Zëri”, Kajtaz Gecaj.
Lajmi se Behar Mustafa, gazetar i BIRN-it dhe Faton Ismajli nga Gazeta Express janë sulmuar nga një grup protestuesish afër urës së Ibrit në Mitrovicë, duke i detyruar ata t`i nënshtroheshin trajtimit spitalor, paraqet shqetësim për gjendjen me të cilën përballen gazetarët gjatë ushtrimit të profesonit të tyre.
Dhuna e shfrenuar grupore ndaj gazetarit është akt i shëmtuar, qyqar dhe skandaloz i cili nuk përkon me një shoqëri të lirë dhe demokratike.
AGK thekson se sulmet ndaj gazetarëve, të çfarëdo lloj përkatësie etnike qofshin ata, janë të papranueshme, përderisa konsideron se aktet e tilla nuk janë të drejtuara vetëm ndaj individëve, por ndaj lirisë së medive, fjalës së lirë dhe ndaj të drejtës së qytetarëve për të qenë të informuar.
Asociacioni i Gazetarëve fton institucionet e rendit por edhe individët e caktuar, që të heqin dorë nga dhuna dhe t`i lënë gazetarët të lirë ta kryejnë punën e tyre, me qëllim të informimit të opinionit.
AGK fton institucionet e drejtësisë që të ndërrmarrin masat e nevojshme për ndriçimin e këtyre akteve dhe vënien e autorëve para drejtësisë.
Ndërsa kolegëve Behar Mustafa dhe Kajtaz Gecajt u dëshiron shërim sa më të shpejt dhe rikthim në punën e tyre të përditshme në shërbim të informimit të qytetarëve.