• INFO+
  • POLITIKË
  • NACIONALE
  • POLICIA
  • OP/ED
  • SPORT
  • ART/KULT
  • SHNETA
  • TJERA+
    • LUGINA
    • GJYKATË/PROKURORI
    • N'RRJET
    • RROTULL
    • MAGAZINA
    • PROMO
    • 2LTV
    • NJOFTIME/SHPALLJE
Art/Kult

Agim Mato ynë i madh

Redaksia 2LONLINE 14 Maj, 2021 9 min
 Agim Mato ynë i madh

Në vend të In memoriam

AGIM MATO YNË I MADH

Shkruan: Anton Nikë Berisha

“Intelektualët e vërtetë, qi me vetëdije të detyrës s’vet, ushtrojnë profesín e letrave janë syni i kombit; nji sy qi merr dritë nga vuejtjet e gzimet e kalesës, qi e forcon at dritë në përvojë të së tashmes dh’eflakron si rreze terr-shporuese kah ardhmenija e palindun. Pá veprën dritëpërhapëset’intelektualvet të njimendët, nji komb âsht si i verbti mbi nji udhë plot gropa e çarravína të rrezikshme”.
ERNEST KOLIQI

Nuk është thënë rastësisht se poetët (shkrimtarët) e mëdhenj nuk vdesin; në çastin kur pushojnë së frymuari, këmbehen vetvetiu me poezinë e tyre, me atë që na e kanë krijuar dhe na e kanë lënë trashëgim. Pra – fjala e tyre poetike – vazhdon të jetojë dhe të komunikojë me lexuesin e të ndikojnë estetikisht në ta, edhe pse ata nuk janë në mesin e tyre. Ndodh kështu për arsye se poezia që kanë përftuar shpreh shpirtin, ngjiz emrin e tyre dhe lexuesi edhe pse s’ka mundësi ta takojë fizikisht poetin, e takon poezinë e tij dhe kjo e mban lexuesin të pa shkëputur me të.

Këtu, pos të tjerash, qëndron rëndësia e poetëve të mëdhenj; e fjalës së tyre poetike që vazhdon të jetë e gjallë e të komunikojë me atë që e lexon dhe njësohet me të. Duke folur për rëndësinë e artit KarlGustavJung-u thoshte “[…] arti përfaqëson një proces vetërregullimi shpirtëror në jetën e kombeve dhe të epokave.”

Pikërisht për këtë fakt arsyetohet shprehja se poetët janë hyjnorë për artin e tyre, për ndikimin estetik që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë me veprat e tyre. Poeti ynë arbëresh, De Rada, thoshte se poezia është si profecia, ndërsa Poradeci theksonte se poezia është hyjnore, i tillë është çdo varg dhe çdo fjalë për arsye se brenda saj është shkrirë shpirti i poetit.

Gjithë kjo që thashë lidhet ngushtë me poetin e Sarandës, Agim Maton, i cili këto ditë u nda fizikisht nga ne; lidhet me poezinë e tij dhe me vlerat që e cilësojnë atë.

Agimi vuajti për poezinë, e pësoi për poezinë, po ajo ishte dhe kënaqësia e tij, frymëmarrja e tij shpirtërore. Këtë e përligjin më së miri poezitë e tij.

Në sistemin e komunistëve ai e pësoi nga poezia, si ndodhi dhe me shumë sivëllezër të tij krijues në Shqipëri, që, po ashtu, e pësuan rëndë:

U ndesha me censorë që sterilizonin shpirtrat e poetëve
në dobi të ca perëndive të rreme që kishin populluar dhunshëm planetin.
Për shumë kohë penën ma sekuestruan
si një armë të paligjshme që nuk më takonte ta baja.
Për shumë kohë: “Sus!… sus!”, më ndëshkonin
dhengela pa zërin tim, pa gjuhën time, pa librat e mi.
(Ti libër)

Mirëpo, pikërisht dashuria ndaj artit të fjalës, ndaj poezisë, e bëri Agimin jo vetëm t’i përballojë vështirësitë, po dhe të ndjejë atë kënaqësinë e pazakonshme që ajo mund t’i shkaktojë poetit: poezia u bë etje dhe ngushëllim shpirtëror, që u përligj dhe u njësua në shprehjen poetike të tij, sa të mëvetësishme, po aq të pasur. Kështu u vlerësua nga studiuesit shqiptarë dhe nga studiuesit italianë.
Tridhjetë vite jetoi me dashurinë e fshehur për poezinë, të fshehur thellë në qenien e tij dhe kur mbërrin çasti i pritur aq gjatë ndodhi diçka e rëndomtë:

Kur zbrita sërish pas tridhjetë vjetësh në minierën
e braktisur të poezisë
e po çapitesha në galeritë e lëna përgjysmë,
duke kërkuar arin e fshehur nëpër guva,
veglat e mia të punës
të shpërndara pa kujdes në çaste zemërimi
me perënditë,
ngurova papritur dhe ashtu fluturimthi
bëra të ngjitem lart, ku prej kohësh përgatitesha për
salltanetin e madh të vdekjes (Meaculpa)

Agim Mato nuk qe vetëm poeti i parë i Sarandës me trojet përreth, po dhe frymëzuesi dhe nismëtari i shumë veprimtarive letrare. Ai, bashkë me Timo Mërkurin, Bardhyl Maliqin e me të tjerë, e ngritën në nivele të larta bashkëkohore “Klubin të krijuesve jonianë” (Agimi për shumë vite ishte kryetar i këtij klubi). Klubi u bë i njohur sidomos për takimin tradicional të quajtur “Trirema e poezisë Joniane”(ide e Agim Matos), në të cilin vite me radhë morën pjesë krijues nga: Maqedonia, Bullgaria, Greqia, Spanja, Italia etj. Saranda ishte i vetmi qytet në Shqipëri që e nxiti një bashkëpunim të përmasave të këtilla me poetët e huaj dhe e vuri në komunikim letërsinë tonë shqipe me letërsitë e tjera.

Natyrisht, merita më e madhe për këtë, i përket Agim Matos.

Me një fjalë, në rrafshin letrar e kulturor Saranda u njësua mirëfilli me emrin e Agim Matos, po edhe ai u njëjtësua me qytetin e tij: organizoi shumë takime letrare, po edhe nxiti krijuesit e qytetit e të rrethinës që të shkruanin e të botonin.

Për t’u ndihmuar atyre, e themeloi dhe shtëpinë botuese “Milosao”, që u bë vatra kryesore e botimeve të veprave letrare të shkrimtarëve të hapësirës joniane. Mirëpo, ai e kaloi dhe ketë kufij: botoi dhe vepra të autorëve të tjerë: të shkrimtarëve arbëreshë, të shkrimtarëve tëKosovës dhe të shkrimtarëve italianë.

Falë aftësisë dhe këmbëngulësisë së Agim Matos, u krijuan marrëdhënie me disa shkrimtarë të huaj, sidomos me shkrimtarët italianë të Barit, të Leçes, të Tranit, të Formia-s, Gaeta-s etj.

Duhet të përmend sidomos bashkëpunimin shumë të frytshëm me grupin e shkrimtarëve italianë që janë të bashkuar rreth revistës letrare “La Vallisa” (që botohet rregullisht tash mbi 40 vite), të prirë nga prof. Daniele Giancane (Xhankane).

Këmbimi i përvojave me shkrimtarët italianë si dhe botimi i poezive dhe i antologjive në dy gjuhë (shqip dhe italisht), siç është vëllimi Na bashkon një det. Antologji me poetë italianë dhe shqiptarë të jugut (Milosao, Sarandë 2016), është punë që lidhet pandërmjetësisht me emrin e Agim Matos.

Më duhet të përmend këtu edhe qëndrimin vëllazëror të Agimit përballë shkrimtarëve kosovarë, një fisnikëri e pafund. Edhe ata ia kthyen këtë të mirë: “Ars klubi Beqir Musliu” i Gjilanit, i drejtuar nga shkrimtari SabitRrustemi, e ftoi në Gjilan dhe shkrimtarët vendorë e vlerësuan lart poezinë e tij; shtëpia botuese “Faik Konica” e NazmiRrahmanit, i botoi vëllimin me poezi të zgjedhura “Shkretëtirë harrimi” (Prishtinë 2018), ku janë përfshirë poezitë e tij artistikisht më të ngritura.

Dhe Agimi ynë i madh bëri dhe punë të tjera për të mirën e letërsisë sonë e për qytetin e vet, Sarandën. Bëri pikërisht atë që e thotë Ernest Koliqi për intelektualin në mendimin e vënë jo rastësisht në krye të këtij shkrimi, që i përgjigjet mirëfilli poetit Agim Matos.

E kam thënë në një shkrim tjetër se kur vdes një shok i shtrenjtë vdes dhe një pjesë e jotja, ndërsa kur vdes një shok dhe poet i madh, vdes një pjesë më e madhe e jotja.
Agim Mato ishte një poet dhe një shok për shembull.

Mendoj që krijuesit jonianë të Sarandës duhet t’i vënë emrin e Agim Matosklubittë tyre. Me këtë do ta nderojnë klubin dhe do ta nderojnë emrin e poetit të tyre e tonin. Kjo do të jetë punë e parë që duhet të bëjnë ata dhe qyteti i tyre për të vazhduar edhe me nisma të tjera. /2LONLINE.com/

Etiketa:Agim Matos Anton Nikë Berisha poet shkrimtar
Previous post
Next post
Lajmet e fundit
Nacionale

Ka përfunduar ushtrimi fushor “Iron Mike”

1 Prill, 2023
Policia

Në Mitrovicë Veri ndalohen dy persona dhe iniciohet rasti posedim i substancave

1 Prill, 2023
Gjilan

Gagica: Edhe sa jetë duhet humbur në rrugët ekzistuese në mënyrë që

1 Prill, 2023
Nacionale

Qeveria miraton Projektligjin për Tatimet, përfshin faljen e tatimit në pronë

1 Prill, 2023
Lajme të ngjashme

Sa i ka qëndruar dhe i qëndron kohës poezia e Rexhep Elmazit?

7 Shkurt, 2023

Në UKZ është mbajtur takim bashkëbisedues me prozatorin dhe studiuesin e letërsisë shqipe Behar Gjoka

13 Janar, 2023

Shënime për autorin Prend Buzhala, fitues i sivjemë i Çmimit Letrar “Beqir Musliu”

23 Nëntor, 2022

Vëzhgime të përgjithshme për veprën letrare të Ibrahim Kadriut

14 Nëntor, 2022

Kryeministri Kurti në ceremoninë e varrimit të Xhevdet Bajrajt: Poet dhe njeri i papërsëritshëm

30 Qershor, 2022

Qasje me artin gojor e poezisë së Pjetër Budit

6 Mars, 2022

Rr. Ahmet Gashi p.n. Gjilan, 60000, Kosovë

+383 44 177 281

[email protected]
[email protected]

Kontakti
Raporto
Media Sociale
Numra me rëndësi
Harta e faqes
Shkruaj për 2LONLINE
Fillimi
Info+
Politikë
Nacionale
Policia
Op/Ed
Sport
Art/Kult
Shneta
Lugina
Gjykatë/Prokurori
N'rrjet
Rrotull
2LTV
Njoftime/Shpallje
Magazina
Promo

Ky portal mirëmbahet nga N.SH. 2lonline.com. Materialet dhe informacionet në këtë portal nuk mund të kopjohen, të shtypen, ose të përdoren në çfarëdo forme tjetër për qëllime përfitimi, pa miratimin paraprak nga 2lonline.com. Për shfrytëzimin e materialit të këtij portali, obligoheni t’i pranoni Kushtet e përdorimit.

Kushtet e përdorimit
Politikat e privatësisë
Impresum
Marketingu
2010 - 2023. Të gjitha të drejtat e rezervuara | 2lonline.com