Kryetari i Partisë së Drejtësisë, Ferid Agani, ka vlerësuar se koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale do të ishte pjesa e dytë e muajit shtator.
“Për mendimin tim, koha më e mirë për mbajtjen e zgjedhjeve nacionale është pjesa e dytë e muajit shtator sepse është e nevojshme që Komisioni Qendror i Zgjedhjeve të përgatitet në mënyrë të mirëfilltë për organizimin e këtyre zgjedhjeve, ndërkohë Kuvendi i Kosovës do të përfundojë një pjesë të rëndësishme të punës së tij legjislative, sepse janë disa ligje me rëndësi në proces të miratimit”, ka theksuar Agani në një intervistë për “Epokën e re”.
Agani ka thënë se kërkesat për mbajtjen e zgjedhjeve në qershor janë të ngutshme dhe të paargumentueshme. “Kërkesat që zgjedhjet të mbahen në qershor janë të ngutshme, që s’mund të argumentohen, sepse për dy muaj nuk fitohet asgjë në aspektin e qeverisjes së vendit”, është shprehur Agani.
Ai ka deklaruar se reforma zgjedhore ka mundur të përfundojë më herët dhe do të ishte më përmbajtjesore por, sipas tij, kjo është parë se ka qenë në funksion të interesave politike të partive të mëdha në vend. Ai ka bërë me dije se PD-ja në zgjedhjet nacionale do të garojë e vetme, por pas zgjedhjeve do të jetë e hapur për koalicione. Në këtë kontekst, ai ka thënë se AKR-ja dhe PDK-ja do të jenë një nga opsionet për ta vazhduar bashkëpunimin.
“Partia e Drejtësisë me të gjitha forcat e saj është kah përgatitet të hyjë e vetme në zgjedhje. Nuk kemi parti të preferuar në këtë aspekt. Natyrisht se partnerja e koalicionit, Aleanca Kosova e Re, vazhdon të mbetet partnere serioze për biseda dhe për bashkëpunimin politik, por edhe PDK-në e shohim si një prej opsioneve të mundshme të vazhdimit të bashkëpunimit”, është shprehur Agani.