Zhvillimet e sotme në Kuvendin komunal të Gjilanit, ku pati edhe tension, i ka komentuar edhe ish anëtari i Kuvendit Komunal, Riza Abdyli, tani anëtar i kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), dega në Gjilan, i cili për Portalin 2LONLINE, u shpreh se, nga ajo që u pa, kemi të bëjmë me fillimin e fundit të këtij mandati të kësaj përbërje të kuvendin komunal.
“Nuk i lejohet askujt, e veçmas një kryetari të komunës, ta pengojë në punën e tij, kryesuesin e Kuvendit, e as Kuvendin, kur e dimë se në komunë janë dy pushtete të ndara, njëra prej tjetrës dhe kryetari i komunës është përgjegjës dhe zot shpie vetëm për pushtetin ekzekutiv, e asnjëherë për atë legjislativ”, ka thënë Abdyli.
Ai tha tutje se sjellja e kryetarit të komunën në seancën e sotme ku mundohet ta pengojë kryesuesin e kuvendit, me tentativën për t’ia ndërprerë mikrofonin, për ta pamundësuar zhvillimin normal të seancës sipas rendit të ditës është veç tjerash edhe dhunim i demokracisë
Çdo këshilltarë komunal ka marr votat e qytetarëve drejtpërsëdrejti, sikurse kryetari i komunës dhe askush nuk ka të drejt askënd ta pengojë në kryerjen e punës sepse qytetari është ai i cili e vlerëson më së miri punën e secilit.
“Duke e parë gjendjen e krijuar, ditë më parë, e veçmas zhvillime e sotme, shkuarja në zgjedhje të parakohshme për kuvendin komunal do të ishte zgjidhja më e mirë e mundshme, sepse me një situatë të tillë, humbësi më i madh do të jetë qytetari i Gjilanit. Asnjëra nga partitë politike të përfaqësuara në kuvendin komunal që kanë grup të këshilltarëve, si LDK, PDK dhe Vetëvendosje, nuk e kanë prioritet interesin qytetarë, por ato individuale dhe grupore, se në raste të veçanta, nuk i kanë as ato partiake”, ka thënë Abdyli.
Sipas tij, shihet qartë se te këto parti politike vendimet i marrin një grup i vogël i njerëzve e jo strukturat e partive dhe kjo është njëra ndër shkaqet që jemi në këtë gjendje.
“Prandaj vlerësoj se zgjedhjet për kuvend janë domosdoshmëri, për të ardhur një përbërje e re, që në radhë të parë, do të bëjë punë të mira për qytetarët e Gjilanit”, ka thënë Riza Abdyli, ish anëtar i kuvendit Komunal në mandatin e kaluar, aktualisht anëtar i kryesisë së Degës së AAK-së së Gjilanit. /2LONLINE/