(2L ONLINE) – Përfaqësues të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Dega në Gjilan thonë se shuarja e Drejtorisë për Rini, Kulturë e Sport, për të kaluar në njësi në kuadër të Zyrës së kryetarit është tregues se sa pak interesim ka kryetari i Komunës për këto fusha.
Sahit Abazi, shef i Grupit të Këshilltarëve të PDK-së, dikur udhëheqës edhe i disa organizmave rinor, duke u fokusuar pikërisht në rininë e madhe që e ka Gjilani dhe nevojën e madhe për t’u përkrahur ajo, ka thënë se edhe ky hap që po ndërmerret nga kryetari i komunës Lutfi Haziri është në vazhdën e dëshmive për të treguar se sa pak interesim ka kreu i komunës për rininë e Gjilanit.
“Degradimi nga drejtoria në sektor të rinisë është ikje e përgjegjësisë të kryetarit të komunës dhe kamuflim për mospunën e deritashme”, ka thënë Abazi për Portalin 2L ONLINE.
Sipas tij, rinia në Gjilan përveç që duhet të ketë drejtori në vete, aty duhet të ndërtohen politika avancuese që mundësojnë progresin e rinisë dhe arritjen e objektivave siç janë punësimi, shkollimi alternativ dhe ngritja e pjesëmarrjes në vendimmarrje.
Përndryshe, sipas përfaqësuesve të PDK-së, se sa serioze ka qenë ky pushtet me rininë, por edhe me sektorët tjerë kulturën e sportin, është tregues edhe fakti se drejtoria në fjalë, që mbulon këto tri fusha, po zhbëhet, ndërsa, përgjatë gjithë kësaj periudhe kishte ushtrues detyre të drejtorit.
Përndryshe, kjo çështje do të jetë pjesë e rendit të ditës në seancën e radhës që do të mbahet të hënën me 29 shtator. /2L ONLINE/