(2LONLINE) – Shefi i grupit të Këshilltarëve të PDK-së , Sahit Abazi vlerëson se përkundër që Kryetari i Komunës së Gjilanit është thirrur përgjatë tërë fushatës elektorale se do ta kthej institucionin e Kuvendit në institucionin më të rëndësishëm vendimmarrës, gjatë këtyre muajve të qeverisjes së LDK-s, ai e ka bërë të kundërtën, duke mos e lejuar debatin konstruktiv në Kuvend.
Në një prononcim për Portalin 2Lonline, Abazi ka thënë se kryetari i komunës në tri séance radhazi, pasi kryen fjalën e tij ikën nga seancat kështu e ka vënë në pozitë të palakmueshme edhe kryesuesen e kuvendit duke kërkuar pauza sa për ta lehtësuar ikjen e kryetarit.
Abazi shprehet se dëmtimi më i madh i demokracisë në kuvend ndodhi në seancën e fundit të kuvendit ku kryetari as për 7 orë të plota sa ka zgjat seanca nuk guxoi të vinte e të ballafaqohej në debat me përfaqësuesit e zgjedhur të popullit.
“Kjo seancë u manifestua edhe me fjali fyese të një këshilltari të LDK-s, i cili përdori fjalor të rëndë e të pisët duke harruar se në sallë gjendeshin edhe motra e gra të dikujt, duke mos kërkuar falje por duke vazhduar me cinizëm ne këshilltarët e PDK-s u detyruam ta lëshojmë seancën si mjet proteste që kjo situatë të mos përsëritet më”, ka thënë Abazi.
Por, shefi i grupit të Këshilltarëve të PDK-së sheh edhe tendenca pozitive dhe në këtë drejtim ka përmend atë të kryesueses që të ndaj minutazhin e barabartë për të gjithë asamblistët përgjatë këtyre muajve të drejtimit të saj me asamblenë e komunës.
Ndryshe, ai thotë se tashmë gati janë funksionalizuar trupat e kuvendit me komitete dhe me komisione të kuvendit edhe pse nuk janë respektuar proporcionalisht kryesuesit e komiteteve, do të duhej që këto trupa, proporcionalisht me numrin e votave ti udhëhiqnin të gjitha partitë e përfaqësuara në asamble, jo vetëm LDK-ja.
“Grupi i këshilltarëve komunal nga PDK-ja është tejet aktiv dhe i përgatitur për secilën seancë, kjo është dëshmuar deri tani me aktivizimin e të gjithë asamblesitëve tanë në diskutime dhe në rekomandime, në shumicën e pikave të rendit të ditës e që kanë qenë në shërbim të qytetarëve ne e kemi mbështetur edhe me diskutime edhe me vota pozitën, rasti i fundit ishte ndarja e bursave për student, ku pas këmbënguljes tonë dhe të këshilltarëve të VV-s arritëm ta bindim nënkryetarin e Komunës që shumën e propozuar nga pushteti prej 30 mijë eurove ta ngrisim në 70 mijë”, thotë Abazi..
“I pari në mesin e kuvendarëve të PDK-së shpreson që në seancat e radhës kryetari të mos i ikën debatit por të ballafaqohet sepse do ti lehtësohet barra e rëndë të cilën ja kanë ngarkuar qytetarët e të cilën, sipas tij, deri më tash s’ka arritur ta konkretizoj me as një punë konkrete përjashto heqjen e hekurave para objektit të ish Gjykatës në qendër të qytetit.
“Thirrja ime është që kryetari të dal dh e ta largoj edhe pak beton para Gjykatës në mënyre që këtë punë të mirë që e ka bërë ta qoj deri në fund për ta lehtësuar lëvizjen e qytetarëve në qendër të qytetit”, shprehet Sahit Abazi, Shef i Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së. /2lonline/