(2L ONLINE) – “Kryetari i Komunës së Gjilanit Lutfi Haziri duke dashur ta shndërroj në trampolinë personale Gjilanin, sot bëri edhe një shkelje tjetër të ligjit dhe rregulloreve në fuqi, që parashohin saktë secilin akt për mirënjohje, dekorata dhe shpallje “qytetar nderi” që në fund duhet me votim t’i miratojë Kuvendi i Komunës, sot një gjë e tillë nuk ndodhi”.
Kështu ka thënë Sahit Abazi shef i Grupit të Këshilltarëve Komunal të PDK-së në Gjilan, sipas të cilit, Lutfi Haziri që njihet në Gjilan si njeri që për t’i mbuluar dështimet e tija, krijon insinuata artistike për të mashtruar publikun e Gjilanit, një gjë të tillë e bëri edhe sot, duke e shpallur qytetar nderi një njeri të cilit ja kemi parë hajrin si qytetarë të Kosovës “pak, ose sa politikanëve mesatar të Republikës së Shqipërisë”.
“Nëse është dashur të nderohet një ish kryeministër i cili në kohë të vështira i ndihmoi popullit të Kosovës atëherëë është dashur të merrte një titull të tillë z. Pandeli Majko, që bëri gjithçka që ishte e mundur për të na ndihmuar, por Luta nuk mendon kështu, sepse ai nuk e ka zorin e nderimeve për njerëzit që e meritojnë. Ai e ka një hall tjetër”, ka thënë Abazi.
Ai tha se, të gjithëve iu kujtohet se si Luta e “godiste” pa mëshirë kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama, para disa muajsh sepse mendonte që duke e “goditur” ulët Ramën do të ngritej Luta vet. “Kujtojmë deklaratën e tij në TV KLAN Kosova, ku thotë “Rama e do Ibrahim Rugovë, vetëm të vdekur”. Tash kur popullariteti i Edi Ramës në Kosovë është rritur tejmase, Luta e ka parë se gaboi, edhe më i gabuar po ndjehet kur e ka kuptuar qe tashme Edi Rama është Lider i Ballkanit perëndimor dhe Luta po mundohet ti përmirësoj gabimet e tija duke e shfrytëzuar qytetarin e Gjilanit”, ka thënë Abazi.
Sipas tij, ideja që ta shpalli Ilir Meten “qytetar nderi të Gjilanit” nuk është asgjë tjetër veç se tendencë e Lutës për t’u afruar me Ramën.
“ Bile, Luta sot bëri edhe një gabim tjetër politik, sepse na tregoi që nuk është një demokrat djathtist siç e ka mashtruar opinionin por është majtist klasik, e ndoshta ky është edhe majtist edhe djathtist në varësi të rrethanave që i konvenojnë. E keqja e lojërave të Lutës është që në qytetarët e Gjilanit po pësojmë nga shfrytëzimi klasik për nevoja personale politike të Lutfi Hazirit”, ka thënë Abazi i PDK-së.
Ndërsa, arsyeja e pjesëmarrjes së opozitës në këtë “manifestim”, sipas Abazit, ishte nderi për pozitën e z. Ilir Meta që është kryetar i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë. /2L ONLINE/