(2L ONLINE) – Kryetari i AAK-se dhe kandidati për kryeministër të Kosovës, Ramush Haradinaj të premten ka qëndruar në Gjilan, për të shpalosur programin qeverisës te Aleancës për Infrastrukturë dhe Mjedis.
Haradinaj u shpreh se Gjilanit do ti kthehet identiteti i zbehur nga ata që nuk kanë punuar për t’ia mbajtur vendit bukurinë dhe gjallërinë. Ai ka thënë se me programin e AAK-së të hartuar nga ekspertë të fushave të ndryshme, do të ketë hapësirë për gjithçka, por në veçanti për zhvillimin e vendit në të mirë.
Ndërkohë që në ambient të hapur, para qytetarëve të shumtë të cilët kishin ardhur për të dëgjuar për këtë plan qeverisës, folën edhe kryetari i Degës së AAK-së në Gjilan Rexhep Kadriu, kandidatja për deputete në Kuvendin e Kosovës Magbule Shkodra të cilët i kanë bërë thirrje të gjithë qytetarëve që ti bashkohen drejtimit të ri për Gjilanin dhe Kosovën, drejtim ky që vetëm Aleanca do të mund ta realizojë.
Ndërkaq, programin para qytetarëve e kanë shpalosur ekspertët e Aleancës, të cilët qenë pjesë e panelit Ardian Gjini, Donika Kadaj-Bujupi, Haki Shatri dhe Anton Berisha, të cilët kanë folur në pika të detajizuara për të gjitha projektet që pritet të realizohen në Gjilanin e harruar nga qeverisjet e kaluara, me marrjen e mandatit nga AAK dhe me udhëheqjen e Ramush Haradinaj si kryeministër i Kosovës, pas datës 8 qershor. /2L ONLINE/