Lëvizja Vetëvendosje, përmes nënkryetarit të saj, Besnik Bislimi ka prezantuar një anketë të realizuar në muajin dhjetor, sipas së cilës kryeministri më i përshtatshëm për qytetarët do të ishte Albin Kurti, derisa Vetëvendosje është renditur partia e dytë si më e votuar.
shih shkrimin: Bislimi: Vetëvendosje në rrugë të mirë për t’u bërë subjekti i parë
Lidhur me këtë ka reaguar Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK). AAK-ja vlerëson se ky sondazh tregon vetëm krizën e tyre si parti.
“Publikimi i të ashtuquajturit “sondazh” nga ana e Lëvizjes Vetëvendosje i cili nuk përmban asnjë element lidhur me metodologjinë e punës dhe nivelin e mostrave nuk tregon asgjë më shumë sesa shqetësimin dhe krizën e tyre si parti. Është shumë e qartë se Kryeministri Ramush Haradinaj me vendimet e guximshme dhe të drejta qe ka marr gjatë këtij mandati, jo vetëm që e ka rritur besimin ndaj tij si Lider por e ka përkrahjen me të madhe nga qytetarët, dhe atë më shumë se sa secili Kryeministër i kaluar. Përndryshe, përderisa të tjerët po merren me sondazhe të porositura, kryeministri dhe kryetari i ynë i’a ktheu dinjitetin vendit duke e bërë Kosovën me Ushtri, duke aplikuar taksën ndaj Serbisë dhe tani deri sa të tjerët vazhdojnë të merrem me garën për pushtet e flasim për zgjedhje ne po vazhdojmë suksesshëm rrugën tonë drejt zhvillimit të vendit”, thuhet në reagimin e AAK-së.
“Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, duke udhëhequr me shtatë komuna asnjëherë nuk ka qenë më e fortë politikisht dhe pa asnjë dyshim është partia politike kryesore në vend ndërsa kryetari ynë është Lideri numër një. “Manipulimi sikur AAK ka shënuar rritje në 12.6 përqind është përpjekje për ta eklipsuar rritjen e vazhdueshme të AAK-së e që është shumë më shumë se aq!”, thuhet në reagimin e AAK-së.