Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duhet të bëjë reformë të thellë në struktura të degës, po ashtu edhe të nivelit qendror.
Shkruan: Arlind Vokshi
Mungesa e hapësirës për gjeneratat e reja tregon më së miri rezultatin zgjedhor. Strukturat e partisë nuk lejojnë të depërtojnë kuadrot e rinj në parti.
Në pushtet njerëz të njëjtë sillen duke marre hise në të gjithë pushtetet, kurse në opozitë ata struken sikur s’ka ndodhur asgjë. Përgjegjësinë duhet ta marrë secili, si në pushtet ashtu edhe në opozitë, sepse partia nuk funksionon dhe nuk bëhet politikë vetëm kur ke fuqi ekzekutive.
Mungesa e hapësirës për të rinj vetëm sa po e thellon në gabime këtë subjekt dhe po e humb elektoratin e saj. Brenda kësaj periudhe kohore, pra deri në zgjedhje lokale, duhet të merremi seriozisht me strukturat e të gjithë niveleve, për të parë ku kemi çaluar dhe çka mundemi të bëjmë për të mirë.
Me keqardhje po them se dikujt po i duket gjendja stabile, por gjendja është alarmante. Unë jam i detyruar të marrë vendim për veten time. Sidoqoftë Aleanca meriton më shumë, por duke i respektuar aktivistët e tyre, e jo duke i llogaritur vetëm aktivistë të momentit, vetëm kur kanë nevojë t’i shfrytëzojnë për qëllime të tyre të caktuara, e jo t’i shohin si shtyllë kyçe të partisë.
Kohëve të fundit ka pasur largime nga AAK-ja dhe asnjë nga struktura e nivelit lokal e as qendror nuk e ngritën zërin në drejtim të ruajtjes së anëtarësisë e strukturës, por e injoruan një situatë të tillë. Dhe, natyrisht se kemi pastaj rezultate ndëshkuese.
Prandaj, ju që keni përgjegjësi, reflektoni sepse nuk jemi në pozitë të sillemi sikur nuk ka ndodhur gjë.
Aktivisti juaj, kryetari i Forumit Rinor, Dega në Gjilan, si dhe nënkryetar i Rinisë së Aleancës në nivel të Kosovës, Arlind Vokshi. /2LONLINE.com/