/2L ONLINE/ – Po e hape faqen e internetit dhe kërkon pakëz në google informata për Gjilanin, menjëherë do të mbushet faqja me tituj si ato që tregojnë për ngritje aktakuze kundër kryetarit aktual të Gjilanit Lutfi Haziri apo edhe aktakuza tjetër kundër ish kryetarit të Gjilanit Qemajl Mustafa. Pavarësisht përmbajtjes së aktakuzës dhe epilogut të saj, për Gjilanin nuk është aspak lajm i mirë të akuzohen njëkohësisht, dy kryetarët e saj, ai i mandatit të kaluar dhe ky i tanishmi.
Nëse i shohim rrethanat në të cilat aktualisht ndodhet Kosova, shohim presionin gjithnjë e më të shtuar të faktorit ndërkombëtarë për luftimin e korrupsionit. Të gjendur para kësaj situate, partnerët qeveritarë, për t’i përmbushë kërkesat e ndërkombëtarëve për luftën kundër korrupsionit, po e përdorin këtë moment, edhe për këtë por edhe për qëllime tjera. Janë dy qëllime: ku në njërën anë ata po i përmbushin kërkesat e ndërkombëtarëve dhe qëllimi tjetër është edhe eliminimi politik i njerëzve të padëshiruar në parti siç është rasti, me ish kryetarin e komunës, Qemajl Mustafën e PDK-s, dhe në anën tjetër eliminimin e figurave të fuqishme pretendente për ta udhëheq partinë, siç është rasti me kryetarin aktual të komunës Lutfi Hazirin e LDK-së.
Për ish kryetarin Qemajl Mustafa kishin hapur hetime edhe prokuroria e EULEX-it ,deri sa ishte në pozitën e kryetarit dhe nuk kishin lënë gurë pa rrotulluar vetëm e vetëm për të gjetur dëshmi për të ngritë aktakuzë kundër tij , por në fund nuk kishin ngritë aktakuzë në mungesë të fakteve dhe dëshmive. Po ashtu edhe ndaj Lutfi Hazirit, Prokuroria e Gjilanit kishte hapur hetim dhe i kishte pushua të njëjtat në mungesë të fakteve dhe dëshmive.
Është e vërtet se edhe në Komunën e Gjilanit është përfolur në vazhdimësi për korrupsionin dhe është aluduar edhe për akterë konkret, më së shumti është përfolur për afera korruptive në kohen sa e kishte pushtetin PDK me kryetar Qemajl Mustafën. Përflitej sidomos për tenderë që i jepeshin kryesisht kompanive të afërta me partinë apo figura të larta të PDK-së. Në atë kohë kompanitë nga Gjilani ankoheshin se tenderët po i marrin kompani kryesisht nga Drenica ku ndikimin kryesor thuhej se e bënte Sami Lushtaku, e që mendohej e kishte arrit që kompanive të afërta me të, të i mundësojë marrjen e shumë tenderëve në komunën e Gjilanit përmes ndikimit që kishte si komandant i UÇK-së. Megjithatë organet përkatëse duhet ta dëshmojnë këtë, nëse duam që përgjegjësitë për shkelje të ligjit ta marrin dënimin e merituar dhe e keqja të stopohet.
Edhe për kohen sa është në pushtet Lutfi Haziri përflitet për korrupsion sidomos në sferën e ndërtimeve të larta, të cilat kanë marrë hovë prej se pushtetin e ka LDK-ja. Ndërtimet e larta kanë shkaktua një kaos urbanistik dhe në shumicën e ndërtimeve shihen tejkalime të lejes së ndërtimit, ku kjo të aludon me arsye për afera korruptive, sepse të ndërtosh ku do dhe si do pa përfillë as kriteret më elementare, si ato urbanistike po ashtu edhe ato teknike s’ka se si mos të dyshosh për mundësin e korrupsionit. Megjithatë edhe në këtë rast, organet përkatëse duhet të veprojnë, ta dëshmojnë këtë, nëse duam që përgjegjësitë për shkelje të ligjit ta marrin dënimin e merituar dhe e keqja të stopohet.
Por, fakti që pushteti qendror me partnerët e koalicionit, janë në presion të madh për të përmbushë këto kërkesa, të faktorit ndërkombëtarë, kjo ka bërë që liderët politik të gjejnë edhe viktima të mundshme për t ‘i akuzuar dhe të ruajnë kështu ekuilibrin që rrethi mos të ju ngushtohet të korruptuarve të vërtetë për të cilët dihet botërisht se kanë zhvatur paranë publike qe 17 vite pandërprerë dhe të cilët aq shumë e kanë vjedhë paranë e këtij populli sa tani as që po munden ta fshehin pasurinë që e kanë arritë me hajni.
Për Qemajl Mustafën dihet fakti se është i padëshirueshëm për një pjesë bukur të mirë të partisë dhe eliminimi i tij politik nuk do ta shqetësonte askënd, ai edhe sa ishte në pozitën e kryetarit nuk e kishte mbështetjen e partisë së tij, shpesh edhe vetë ishte deklaruar për këtë, në disa momente. Po ashtu edhe kandidatura e fundit për kryetar te Gjilanit ishte përcjellë me shumë probleme dhe pakënaqësi brenda partisë së tij dhe si rezultat i saj edhe i humbi zgjedhjet. Rikthimin e tij në PDK-në e Gjilanit nuk e do një pjesë e madhe e PDK-së, për të cilët largimin nga skena politike e Mustafës edhe përmes aktakuzave është OK.
Sa i përket Kryetarit aktual të Komunës dhe të LDK-së së Gjilanit, Lutfi Hazirit, ai ka armiq në të dy taborët, si në taborin e PDK-së, po ashtu edhe në atë të LDK-së partisë që i takon. Tabori i PDK-së e dëshiron eliminimin politik të Lutfi Hazirit sepse fitorja në zgjedhjet e fundit i a ka bo të qartë PDK-s se në Gjilan se nuk do të mund të kthehen në pushtet për një kohë të gjatë. Pikërisht, fitorja absolute dhe numri i votave që ka marr Haziri e ka trembë kuptueshëm PDK-në, por edhe LDK-në, pjesën që nuk e duan Hazirin, sepse zgjedhjet e fundit kanë bërë që Haziri të shihet si liderin absolut i Anamoravës dhe kjo pastaj mund të përkthehet edhe me fuqi në nivel vendi, por që dikush nuk e do hairin aq të fortë.
Lutfi Haziri duke e parë tërë mbështetjen që e ka në elektoratin e LDK-së, shpesh herë ka lënë të kuptohet se ka pretendime edhe për të parin e LDK-së në nivel vendi, që pastaj do ti hapte rrugë edhe për të parin e qeverisë, kjo duket se nuk i pëlqen aspak lidershipit aktual në LDK, për të cilët Haziri mund të jetë i mirë për LDK, por asnjëherë si lider partiak.
Andaj, mundësia që një proces gjyqësor, do ta pengonte kryetarin aktual Lutfi Hazirin që të jetë aktorë kryesor për zgjedhjet e ardhshme, si ato për institucione ashtu edhe ato partiake, për shumë eksponentë të lidershipit aktual në LDK-së, do të ishte e mirëseardhur. Njëjtë vlen edhe për rastin e Qemajl Mustafës dhe subjektit të tij, PDK-së. /2L ONLINE/