Dihet mirëfilli se kur numrat janë në tetik, ashtu siç janë numrat në Kuvendin Komunal të Gjilanit, ku 18 anëtarë i takojnë taborit pozitë, e 17 të tjerë janë opozitarë, atëherë edhe vendimmarrja ndërlikohet dhe mund të vije edhe deri te bllokada e këtij organi, siç ndodhi sot me seancën e kuvendit, e cila, fillimisht u ndërpre, kur opozita u largua nga salla, për t’u mos u vazhduar më, për shkak të pamundësisë që pozita ta sigurojë shumicën për të pas kuorum.
Zaten, edhe në fillim të mandatit, kur u krijua shumica pozitë, u deshtë që përfaqësimi i AAK-së në Kuvend, me dy anëtarët e saj, të ndahet, për ta krijuar përbërjen: Vetëvendosje me partnerë (18) dhe LDK me partnerë (17)., që së bashku bëjnë tërësinë e kuvendit të Gjilanit prej 35 anëtarëve.
Pra, mjafton që pozitës t’i mungojë një anëtar, e që sot ndodh t’i ketë mungesë së paku katër prej tyre dhe në anën tjetër, një opozitë të gatshme për të luajtur tani ajo me kartën e “arrogancës së numrave” dhe seanca mund të mos mbahet, gjë që sot edhe ndodhi.
Krejt nisi në fillim të kësaj seance, e cila ishte vazhdimësi e asaj të kaluarës, kur në rend dite ishte raporti i punës së kryetarit, Alban Hyseni, por kur ai ishte i gatshëm për të dal në foltore, shefi i grupit të anëtarëve të LDK-së, Avdyl Aliu, e kërkoi fjalën e me këtë edhe pati një kërkesë që paraprakisht, kryetari Hyseni të kërkoi falje që e kishte braktisur seancën e fundit, pasi Aliu vlerësonte se ai kështu kishte nënçmuar anëtarët e këtij organi më të lartë në komunë.
Për më tepër, Aliu i LDK-së, që i dinte numrat që i ka sot pozita në kuvend, paralajmëroi se seanca për opozitën nuk do të mund të vazhdojë nëse nuk do të ketë kërkim falje nga i pari i komunës. Dhe, kështu edhe ndodhi pasi një gjë e tillë nuk erdhi nga kryetari i komunës, dhe opozita e lëshoi sallën, e në mungesë të numrave, kryesuesi i Kuvendit, Arianit Sadiku dha gjysmë ore pushim, për t’u mësuar më pas se seancë nuk do të ketë. E me që jemi edhe në muajt e pushimeve, kjo nënkuptohet, se kuvendaret mund të kthehen në sallë për punë, tani tek në shtator.
Sidoqoftë. LDK-ja e cila si subjekt politik ka më së shumti anëtarë në kuvend, gjithsej 14, gjë të cilën në vazhdimësi e potencon, më në fund e shfrytëzoi këtë, e në rend të parë mungesën e disa anëtarëve të pozitës dhe luajti në këtë kartë, për të treguar kështu që seancë pa të, mund të mos ketë dhe se duhet përfillur kërkesat e saj, pasi është subjekti më i madh me përfaqësim në Kuvend dhe ka fuqi politike.
Nëse e shikojmë opozitarizmin në Gjilan, në këtë rast të LDK-së, si subjekt më i madhi, mund të thuhet, se ajo sot e luajti lojën dhe mund të vlerësohet si një “fitore” e saj politike!
Deri më tani, opozitarizmi i saj ishte i zbehtë, kujtojmë performancën kopje, para zyrës së kryetarit të komunës, angazhimet në seancë, duke përfshirë edhe atë të thirrur nga ajo si të jashtëzakonshme, që kishte të bënte me ndërhyrjet në zyrën ku mbahej materiali i komisionit për bursa, e ku, për çudi, LDK-ja e kishte humbur debatin në të, edhe pse duhej pritur ta fitonte.
Pastaj kemi pasur reagime militante nëpër rrjete sociale, të paefektshme, në vend që të reagonin zyrtarisht strukturat, si dhe ndonjë konferencat e të shtunave, disa prej tyre monotone, pa ndonjë “goditje” të fortë në adresë të pushtetit.
E themi këtë për faktin se ka shumëçka që pushteti e ka bërë vetën një “target” të mirë për tu qëlluar, e po përmend si shembull, Panairin! Por, ja që opozita e “fjetur”, nuk diti as në këtë rast ta akumulojë, ta kanalizojë dhe drejtojë reagimin qytetarë, karshi pushtetit.
Andaj, ky veprim i sotëm i lojës së numrave në Kuvend, u shfrytëzua si është më së miri nga LDK, për t’i treguar pozitës, se ka fuqi dhe se “arroganca e numrave” të pozitës është në tetik, andaj duhet të jetë e kujdesshme se si po e trajton opozitën.
Veprimi i sotëm i LDK-së, mund të jetë edhe një sinjal që ajo po fillon dalëngadalë të shprehet në rolin e saj, të jetë në element, andaj mbetet të shihen veprimet e mëtutjeshme të saj, sepse pavarësisht se nga kush e si qeverisët me komunë, zëri i fuqishëm opozitar është i domosdoshëm dhe i shëndetshëm për interesin qytetar, për t’i kanalizuar edhe pakënaqësitë, kërkesat dhe nevojat qytetare, për një zhvillim dhe perspektivë në komunën dhe për ta detyruar pushtetin të qëndrojë në binarë dhe të korrigjohet kur ka gabime e devijime.
Kemi pas para vetes vetëm tetë muaj të kësaj qeverisje, të shohim se çfarë do të bëjë tutje ajo, por edhe si do t’i qëndrojë “mbi kokë”, forca opozitare, me rolin e saj. /M.H / 2LONLINE/