(2L ONLINE) – Subjektet politike në Gjilan, po thuajse pa dallim, asnjëherë nuk kanë qenë më të paorganizuara se sa tani. Si duket zgjedhjet e fundit i kanë lodhur ato, ndërsa këtë gjendje po rëndojnë edhe zhvillimet në nivelin qendror. Shumë prej subjekteve janë pasive, madje nuk kanë as prijës, përkatësisht kryetar dege, por veprojnë me koordinatorë. Disa subjekte mbështeten në dy tri zëra që i kanë më aktiv, të tjerët shfrytëzojnë pjesën që është pjesë e institucioneve, qoftë në pozitë apo opozitë, e të tjerë, presin çka do të sjellë e nesërmja.
Nevoja për të dal figura të reja politike, në të gjitha subjektet politike, që t’i organizojnë ato, vlerësohet nga publiku gjilanas si domosdoshmëri. Por, kohëve të fundit flitet edhe për riaktualizim të disa figurave, që disa u pasivizuan vet, e disa i pasivizoi rezultati i dobët, i zgjedhjeve të fundit.
Një nga ata është edhe Arianit Sllamniku, emri i të cilit ka filluar të përmendet se mund t’i rikthehet Partisë së Drejtësisë, Dega në Gjilan, të cilën e drejtonte dikur.
Vet Sllamniku rri i heshtur sa i përket kësaj çështje, por mësohet se për të ndodhur kjo, do të duhej të ndodhnin ndryshimet në nivelin qendror në udhëheqjen e partisë. Referuar zhvillimeve të fundit në këtë subjekt, janë të mundshme edhe ndryshime në udhëheqësinë e këtij subjekti politik dhe matematika që do të mund ta rikthente Sllamnikun në PD, e pse jo edhe në krye të Degës së Gjilanit, mund të jetësohej vetëm nëse partinë e merr në dorë Gëzim Kelmendi, aktualisht deputet i PD-së.
Shkaqet e fërkimit të Kelmendit me kreun e partisë Ferid Aganin, mund të jenë të ngjashme me ato që i kishte dikur Sllamniku. Mendohet se kjo ka të bëjë me mos implementimin e marrëveshjes së nënshkruar, PDK – PD, nga partneri PDK, por që në vend të saj, po ndodh realizimi i interesave të 4-5 anëtarëve të kryesisë, me të cilën gjë nuk ishte pajtuar, dikur Sllamniku, e tani Kelmendi. Pikërisht kjo gjë e përbashkët mund ta ofrojë Sllamnikun me Kelmendin, ku tani më është e qartë se ky i fundit mund të pretendojë kreun e partisë.
Të kujtojmë se Arianit Sllamniku, në korrik të vitit 2009 kishte marr në drejtim Degën e PD-së në Gjilan, po atë vit në zgjedhjet lokale, ai ishte edhe kandidat për kryetar të Gjilanit, ndërsa PD kishte arrit të futej në kuvend ku kishte fituar një ulëse, në të cilën, në 2011 ulet vet Sllamniku, duke zëvendësuar bashkëpartiakun e tij. Ai po ashtu ishte anëtarë i kryesisë në qendër që nga 2010-ta.
Në vitin 2012, në një Kuvend të jashtëzakonshëm të Degës së PD-së, Sllamniku sërish merr besimin për ta drejtuar degën, por aty del në pah më qartë, se nuk e ka mirë me kreun e PD-së Ferid Aganin. Dhe, ky raport mësohet se përkeqësohet akoma kur Sllamniku t’i ketë kërkuar Aganit dhe drejtuesve tjerë në qendrës, për të dal nga koalicioni me PDK-në, dhe këtu merr teposhtëza që do ta lë, përfundimisht jashtë PD-së Sllamnikun.
Megjithatë, ai vazhdoi të jetë akoma aktiv në politik, pasi vazhdonte të ushtronte pozitën e këshilltarit komunal, por tani si i pavarur. Si politikan i ri vlerësohej me shumë vlerë, andaj edhe nuk munguan interesimet e subjekteve tjera për ta pas në mesin e tyre.
Por, kur pritej të shihej se kujt do t’i bashkohej, Sllamniku gjeti mbështetje tjetër, për të nis një iniciativë të re dhe për ta pasuruar skenë politike të Gjilanit edhe me subjekt të ri. Ai me bashkëmendimtarë të tjerë, formojë Lëvizjen për Integrim dhe Zhvillim (LIZ), me të cilën pastaj edhe garojë në zgjedhjet lokale 2013, por që rezultati zhgënjyes e “pensionon” nga të qenit pjesë përbërëse e institucioneve apo edhe e skenës aktive politike.
Por, Sllamniku vazhdon të jetë akoma aktiv, duke vrojtuar tani nga anash zhvillimet politike në Gjilan dhe më gjerë, dhe përmes shkrimeve, opinioneve e analizave vazhdon t’i i shpërfaqë qëndrimet e tija.
Burime e afërta me PD-në thonë se ardhja eventualisht në krye të këtij subjekti politik, e deputetit Gëzim Kelmendit, do t’i hapte dyert rikthimit në PD, jo vetëm të Sllamnikut, por edhe të disa figurave tjera që dikur konsideroheshin në rëndësishme në PD, por që ishin larguar, kryesish nga mospajtimet që kishin me kryetarin aktual të PD-së Ferid Aganin, njëherësh Ministër i Shëndetësisë.
Çfarë do të ndodh në këtë drejtim, mbetet të shihet pas zhvillimeve që do të ndodhin në kryesinë qendrore të PD-së. /2L ONLINE/