Sadete Tërnava – Osmani
A do të kem jetë
Edhe sonte
Po ju ruaj
Po e freskoj mallin dhuratë
Me fjongon tënde të bardhë Artan
Shiritin mëndafsh për flokë-verdhoshen tënde
Po e ruaj
Të zvetënuar pak
Si kurorë e ndjekur
E tretur në botën e kësaj dhome
S’di a e kujton Armend
Atë këmishën bardhoshe
Shpëlarë në shira vjeshte
Tharë ere
Mështeknë e bukur dikur
Tash shajak i plakur
Të lutem ruaje dhe sillma me këngën e ëndrrës
Nën drurët e zhveshur të këtij oborri heshtak
Sonte si gjithnjë nuk zhytem në muzg pa të
Jelekun fringo në dollapin e muzeut tim
Ardi fort po të lutem ta kujtosh
Mos ia shkëput vështrimin e butë
Gjethet do t’ zemërohen në shpërthim
Nga kënga jote e pakënduar
Sytë e lëbyrur të shohin përtej
Nga dritshpresa sedef
Edhe sonte si çdoherë
Turbullt, krejt jeshiltë
Ti Edmond ruami këpucët
Shollën e tyre të paecur ma lustro
T’i kem aty përballë
Te vitrina e plakur
Si mike besnike
T’ju flas e t’i pyes
Edhe sa do të shkëlqejnë
Në dhomën pa bojë
Sot e përherë
E di që kur të më vini
Dora do t’më pushojë së ndërtuari
Pallatin e fotografive tuaja
Nën dritën e kësaj hëne zverdhur nga lotët
Mall njomak të shtrënguar nga laku i dhembjes
Si dje edhe sot
Ata lajmet do t’i mbushin me emrat tuaj
Unë shpirtin me lemeri
Me mall dhembjesh, pështirosje e përbuzje
Dekada lebeti
Sy lëbyrur do te mbes
Vrarë nga drita
Errur krejt verbuar
A thua jetë do të kem
A do të qëndroj edhe më në këmbë
Sa ta shoh barin të shkelet
Mejen panteon
(Dedikim nenës Ferdije)
S.T.
27 Prill 2020