Më duket fort naive me mendua se miqësinë me ShBA-t e prishë tarifa prej 100% ndaj produkteve serbe dhe atyre boshnjake. Si popull e si komb, kemi pasur shumë ngjarje të mëdha e të cilat sikur kishim menduar se amerikanet do t’na kthenin shpinën, por jo, përkundrazi, vendosmëria jonë në të drejtën tonë, i ka forcua edhe më shumë lidhjet tona me Amerikën.
Shkruan: Ardian Azemi
Amerika nuk është bërë shteti më i fuqishëm në botë duke lidhë aleanca me shtete udhëheqësit e të cilave kanë qenë labil, injorantë, matrapazë e të pavendosur. Amerika është këtu sot gjithnjë duke e ditë çka kërkon dhe kënd e ulë në tavolinë, kujt i thotë mik përnjëmend. Andaj, kjo panik e jona se po i dëmtojmë raportet me Amerikën, është e panevojshme dhe ka për qëllim për me fitua ndonjë poen, edhe pse nuk do të fitojnë asnjë.
Bash me kqyrë holl e holl, kush jemi ne që me i prishë raportet me Amerikën..?! Ne, edhe me dashtë me i prishë raportet me Amerikën, nuk mundemi. Aq të pafuqishëm që jemi, edhe si shtet edhe si komb, saqë edhe me i prishë punët nuk mundemi. Pra, suksesi më i madh i politikës shqiptare në përgjithësi është me ia ditë hallin vetës. Nëse mundemi me bë këtë, kemi shënua shumë progres edhe në vetëdije qytetare, kombëtare, por edhe në shtetndërtim.
Deklarata e kongresistin amerikan, Eliot Engel, se tarifa nuk është problemi, por Serbia është ajo që po shkakton probleme, për mua i thotë të gjitha ato të pathëna deri më tash nga të tjerët. Richard Grenell, përnjëmend është i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Trump, por qëndrimi i tij për taksën nuk nënkupton një pikë të madhe dhe të pandryshuar për këtë çështje. Kjo varet nga ne, ose më mirë të them, kryekëput nga ne çka ofrojmë dhe si e argumentojmë qëndrimin tonë si shtet.
Për një gjë jam shumë i sigurt, madje 100% i sigurt, le të ndodh uniteti i faktorit politik shqiptar në Kosovë përkitazi për çështje të interesit nacional, atëherë e shohim se deri në çfarë niveli ka me ra presioni ndërkombëtar ndaj Kosovës, për të gjitha çështjet. Le të mbahet taksa, sepse përnjëmend nuk kemi “armë” tjetër në dorë e që na mundëson të krijojmë një barazi në raport me Serbinë në procesin e dialogut. Tek e fundit, nuk është se Kosova nuk do të mund te ekzistoj nëse nuk folë me Serbinë. Pse veç ne duhet të reflektojmë e Serbia t’na luftoj çdo ditë..?!
Vetëm një gjë nuk duhet me thënë asnjëherë; taksa tanimë është e parëndësishme, sepse vërtetë po dilni qesharak. Si na qenka e parëndësishme taksa kur deklaroni se në momentin që hiqet, ne do të jemi në Shtëpinë e Bardhë..?!
Domethënë paska njëfarë rëndësie, nuk qenka edhe pa të!