(2L ONLINE) – Komuna e Kamenicës ka nënshkruar marrëveshje të bashkëpunimit me projektin DEMOS për periudhën e ardhshme katër vjeçare. Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal dhe Zyra e Zvicerane për Bashkëpunim në Kosovë ka organizuar ceremoninë e lansimit të projektit duke e shënuar fillimin e projektit për Decentralizim dhe Përkrahje Komunave (DEMOS), i financuar nga Agjencia Zvicerane për Zhvillim (SDC) dhe që zbatohet nga HELVETAS Sëiss Intercooperation në Kosovë.
Projekti DEMOS do të mbështes Kamenicën në procesin e menaxhimit financiar – zbatimi i rekomandimeve të auditorit të përgjithshëm dhe vjelja e tatimit në pronë; demokraci lokale – raportimet e kryetarit të komunës në takimet e kuvendeve komunale dhe publikimi i akteve të kuvendeve komunale dhe në shërbimet publike – mbulueshmëria dhe cilësia e shërbimeve komunale në fushën e menaxhimit të mbeturinave, hapësirave publike dhe trafikut komunal.
Nënshkrimin e marrëveshjes e kanë bërë koordinatori i projektit Norbert Pijls dhe nënkryetari i Kamenicës Fatmir Matoshi, i cili ka pranuar edhe shpërblimin për Kamenicën në vlerë prej 40.000 eurosh për vitin 2015 për performancën e mirë të treguar nga komuna. “Kjo është një ditë e veçantë për Kamenicën, ne kemi arritur t`i sigurojmë komunës sonë një partner të çmueshëm siç është HELVETAS- Projekti DEMOS dhe Qeveria Zvicerane e cila ka qenë në mbështetje të shumë proceseve në komunën tonë që nga përfundimi i luftës. Ne sot gjithashtu kemi përfituar një shpërblim nga Qeveria Zvicerane në shumën prej 40 mijë eurosh për performancën e treguar” ka thënë nënkryetari Fatmir Matoshi.
Nënkryetari Matoshi ka siguruar përfaqësuesit e projektit zviceran se përkushtimi i komunës dhe i kryetarit Begzad Sinani për të përmirësuar në vazhdimësi kualitetin e qeverisjes do të arsyetoj vendimin e HELVETAS për të përzgjedhur Kamenicën për partner të këtij projekti së bashku me komuna të tjera të Kosovës./2L ONLINE/