Më shumë se tre milionë euro janë planifikuar që të shpenzohen gjatë vitit 2014 për blerjen e veturave luksoze për institucionet qeveritare, institucione të pavarura, si dhe për kuvende komunale.
Mirëpo, kjo shumë mund të rritet edhe gati për 2 milionë euro, nëse deri në fund të këtij viti, zyra e Prokurimit e Policisë së Kosovës nuk arrin të përzgjedhë kompaninë për furnizim me vetura patrulluese, e ku si pasojë e parregullsive të mëdha tenderi në fjalë është anuluar disa herë nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP) gjatë këtij viti, por edhe gjatë vitit të kaluar.
Sipas projektbuxhetit, i cili është miratuar nga Qeveria e Kosovës, shihet se gjatë vitit 2014, Kuvendi i Kosovës ka paraparë që të blejë vetura në vlerë prej 30 mijë euro.
Po ashtu, gjatë vitit që vjen Qeveria e Kosovës e ka miratuar buxhetin edhe për blerjen e veturave për nevoja të Doganës, e ku shuma totale e paraparë është 160 mijë euro.
Po ashtu, edhe Agjencia Pyjore e Kosovës gjatë vitit 2014 për blerjen e veturave të reja do të shpenzojë 200 mijë euro.
Ndërkaq, Universiteti i Pejës 30 mijë euro, ai i Gjilanit 45 mijë euro, i Gjakovës 40 mijë euro, si dhe ai i Mitrovicës 40 mijë euro.
Qeveria e Kosovës gjatë vitit 2014 po ashtu e ka miratuar buxhetin për blerjen e veturave edhe për Agjencinë Kosovare për Mbrojtjen e Mjedisit, ku shuma totale është 50 mijë euro/zeri.info/