Sot mbushen 28 vjet prej kur drejtuesit e klubeve bashkë me futbollistët dhe punëtorët sportivë nën organizimin e Federatës së Futbollit të Kosovës vendosën ta nisin Kampionatin e parët të Kosovës në Futboll.
Ndeshja e parë që u zhvillua ishte ajo ndërmjet Flamurtarit dhe Prishtinës, e cila ishte pikënisje e një rrugëtimi të gjatë dhe aspak të lehtë të futbollit kosovar.
Agim Ademi, kryetari i FFK-së, me një letër, duke treguar rrugëtimin e futbollit të Kosovës njoftoi qytetarët për këtë datë të rëndësishme.
Ky është letra e plotë e Ademit:
13 shtatori i vitit 1991 pa dyshim është një nga datat më të rëndësishme për futbollin e Kosovës. Në kushte tejet të vështira dhe nën okupimin e egër nga Serbia, drejtuesit e klubeve, futbollistët dhe punëtorët sportivë nën organizimin e FFK-së vendosën që në këtë datë ta nisin Kampionatin e parë të Republikës së Kosovës, që ndryshe njihej në atë kohë si mëvetësimi i futbollit të Kosovës nga ai jugosllav.
Ishte pikërisht ndeshja ndërmjet Flamurtari dhe Prishtinës, e cila u zhvillua në stadiumin e Flamurtarit, ajo që vuri themelet e forta të pavarësimit të futbollit të Kosovës, i cili ndonëse përshkoi rrugë të gjatë e me shumë sakrifica, duke u zhvilluar larg stadiumeve të mirëfillta, nëpër ara e fusha të huazuara nga njerëz të vullnetit të mirë, në fund ia arriti qëllimit.
Në fakt, masave të dhunshme serbe në klube, si në çdo sferë tjetër të jetës, të parët i thanë ‘Jo’ futbollistët dhe stafi i KF “Prishtina”, si klubi më i madh dhe më i suksesshëm në atë kohë, derisa pas tyre edhe klubet e tjera vendosen një nga një t’i bashkohen Federatës së Futbollit të Republikës së Kosovës.
Në krye të këtij institucioni u vendos Agim Bytyqi, i cili së bashku me shumë aktivistë tjerë të futbollit arritën që edhe në ato rrethana të vështira të organizohen me të gjitha strukturat përcjellëse për garë të mirëfilltë futbolli, ndonëse në kushte të improvizuara, duke qenë njëra prej shtyllave kryesore të sistemit të Republikës së Kosovës që iu kundërvu suksesshëm sistemit pushtues serb.
Këtu e 28 vjet më parë nisi rruga e gjatë e sakrificës, por edhe e krenarisë së futbollit të Kosovës, falë kontributit të çmuar të futbollistëve, aktivistëve të futbollit, trajnerëve, gjyqtarëve, tifozëve dhe sidomos njerëzve bamirës, të cilët dhanë edhe metalikun e fundit për të mbajtur gjallë futbollin e Kosovës.
Rrugëtimi i futbollit kosovar vazhdoi në kushte të tilla të vështira nga viti 1994 nën drejtimin e Rexhep Abdullahut, i cili ishte në krye të këtij institucioni deri pas çlirimit, kur timonin e FFK-së e mori Sabri Hashani. Edhe pas çlirimit rrethanat ishin të vështira, ndonëse tashmë futbolli luhej në stadiume dhe entuziazmi e objektivi për anëtarësim në UEFA e FIFA nuk shuhej.
Pas shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe njohjeve të njëpasnjëshme nga shtetet më të rëndësishme, filloi lobimi i fuqishëm i FFK-së në krye me presidentin Fadil Vokrri për thyerjen e izolimit prej dy dekadash dhe anëtarësimin në dy institucionet e futbollit.
As ky rrugëtim nuk ishte i lehtë. U deshtë kohë e gjatë dhe e mundimshme për t’i bindur UEFA-n e FIFA-n se Kosova e meriton të jetë pjesë e familjes së futbollit evropian e botëror. Kur gjithçka u vendosë në binarët e duhur filluam të ndërtojmë atë që e kishim ëndërr – një Kombëtare të fortë dhe me objektiva të qarta.
Tani nën udhëheqjen time po i shijojmë momentet më të mira për futbollin e Kosovës, për çka jam krenar dhe njëherësh mirënjohës ndaj të gjitha gjeneratave që kontribuuan për gati tri dekada që ne sot të jemi në nivel me shtetet më të forta evropiane.
Vazhdojmë më tej me krenari e përgjegjësi drejt realizimit të objektivave!