Në një ngjarje të rëndësishme historike si 24-vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës, e pashmangshme ishte edhe vizita e kësaj Qendre Korrektuese nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti, fillimisht ngriti lart figurat historike të Adem Demaçit, që vuajti 28 vite burgosje dhe Ukshin Hotit që kaloi nëpër burgje nga viti 1981 deri më 1999, kur dhe u zhduk po në burgun e Dubravës më 16 maj 1999, fare pak ditë para masakrës që sot po e përkujtojmë.
Para të pranishmëve, kryeministri shtoi se të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, ishin një kategori më vete që nuk mund të injorohej dhe as të shmangej, gjë e cila u dëshmua në luftën e fundit, kur shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 980 të burgosur politikë shqiptarë nga të gjitha burgjet, duke i grumbulluar në burgun e Dubravës, për t’i eliminuar.
“Ky plan dhe kjo “zgjidhje përfundimtare” e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfyen edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë“, tha kryeministri.
Ndonëse të burgosurit e mbijetuar, sikurse Enver Dugolli, Nait Hasani, Ukë Thaçi, Asllan Selimi e të tjerë autorë, e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës deri në detaje bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryeministri shtoi se ata ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve.
Tutje, ai vlerësoi se kjo vizitë përveç për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë këtu, është edhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb, ngase Republika e Kosovës është shteti ynë që po ngritet e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk falë asnjë krim të bërë gjatë luftës.
“Lavdi për të gjithë të burgosurit të vrarë në masakrën në burgun e Dubravës dhe secilës jetë të dhënë në rrugën tonë për lirinë e Kosovës!”, tha në fund kryeministri Kurti.
Në vizitën në Dubravë, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si dhe Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti. /2LONLINE/