Sot bëhen 22 vite nga rënia e luftëtarit dhe heroit Agim Ramadani. Më poshtë po ua sjellim një historik të shkurtër rreth Betejës së Koshares dhe rënies se heroit Agim Ramadani – Katana.
M’u shterrshin sytë nëse pushoj; lirinë tënde me ëndërrue; mallkue qoftë gjaku im, nëse m’vrasin pa luftue”. Këto janë vargjet e poezisë “Liria”, që Agim Ramadani e kishte shkruar në ditët e tij të fundit, para se të vdiste.
Ai ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët. Beteja e Koshares është një ndër më të mëdhatë e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Palët në këtë betejë kanë qenë të pabarabarta, por UÇK-ja ka pasur përparësi strategjike, pasi beteja është zhvilluar në kufirin me Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye, ajo njihet edhe si ngjarja që theu kufirin shqiptaro-shqiptar. Siç raportohej, ushtria jugosllave e kohës ka qenë e ndihmuar edhe nga mercenarët e vullnetarët rusë e sllavë të tjerë.
Pas një beteje të ashpër për çdo metër katror, UÇK-ja arriti të krijojë avantazhe dhe të dëbojë e të zmbrapsë ushtrinë jugosllave. Për 70 ditë radhazi në luftimet e përditshme, Brigada 131 “Agim Ramadani”, nga radhët e veta kishte humbur 140 luftëtarë. Beteja ka thyer kufirin Kosovë-Shqipëri, gjë që sipas ish-luftëtarëve ishte një korridor i rëndësishëm për Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Agim Ramadani ka qenë anëtar i Akademisë Europiane të Arteve, ndërsa poezia e piktura kanë qenë pasionet e tij gjatë shkollimit të lartë në Zagreb. A i është pjesë e antologjive të ndryshme të letërsisë shqipe botuar pas vitit 2000.
Pak biografi
Ndryshe, Agim Ramadani Lindi në në fshatin Zhegër të komunës së Gjilanit me 3 maj 1963. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen shkollën teknike në Gjilan në vitin 1980, ndërsa Akademinë Ushtarake – drejtimi i komunikacionit në Zagreb të Kroacisë.
Me poezi dhe pikturë është marrë që nga shkollimi i mesëm. Përderisa poezitë e tij, sa ishte gjallë, i mbetën të shpërndara nëpër revista të ndryshme e në dorëshkrim, si piktor organizoi ekspozita kolektive e personale në Kroaci, ku punoi si ushtarak e në Zvicër, ku jetoi si emigrant politik, meqë me fillimin e luftës në Kroaci, aj braktisi ish Armatën Jugosllave ku punonte si oficer. Në vitin 1998 u pranua si anëtar nderi në Akademinë Evropiane të Arteve.
Në vitin 1998, ai iu përgjigj thirrjes së Atdheut dhe u inkuadrua në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, duke lënë në Zvicër tre fëmijë dhe gruan.
Gjatë luftës u dëshmua si strateg i lartë dhe udhëheqës i dashur për ushtarët. Ishte njëri ndër hartuesit e planit për thyerjen e kufirit shqiptaro-shqiptar, gjë të cilën edhe e bëri bashkë me shokët e vet. Ishte i pari që shkuli gurin e piramidës kufitare në Koshare.
Pas thyerjes së këtij kufiri, në pjesën e Kosovës, tek vendi i quajtur Rrasa e Zogut, aj ra heroikisht – për mos me vdekur kurrë. Njihet me emrin konspirativ – Katana. Llogaritet si një nga heronjtë ma të njohur të historisë së re shqiptare.
Në Gjilan para Teatrit të Qytetit i është ngritë një shtatore. Është përfaqësua në disa leksikone dhe antologji të shkrimtarëve shqiptarë, të botuara pas vitit 2000. Agimi la pas vetes tre pasardhës, djemtë Jetonin dhe Edonin, si dhe vajzën Lorinën.