Ky ka qenë një vit absolutisht i jashtëzakonshëm për sportin e Kosovës dhe natyrisht më së shumti për atë më popullor – futbollin.
Perfaqesuesja e Kosovës në futboll e ka pasur ngritjen më të madhe ndonjëherë.
Pas përfundimit me sukses të Ligës së Kombeve si lider i Grupit C në Ligën e Kombeve, Kosova ka pasur një kampanjë mbresëlënëse në kualifikimet për “Euro 2020”. Edhe pse gjithçka ka nisur me dy barazime me Bullgarinë e Malin e Zi, Kosova e ka shënuar fitoren e parë, historike garuese, duke e mposhtur Bullgarinë, në Sofje 2:3.
Po kaq historike ishte edhe fitorja 2:1 kundër Republikës Çeke, kundërshtari më i fortë deri atëherë. Kosova e mposhti në Prishtinë edhe Malin e Zi, e ofroi spektakël në Southampton kur shënoi në minutën e parë me Valon Berishën, në humbjen 5:3 në një ndeshje spektakolare, ku Arijanet Muriq i mbrojti penallti Harry Kanet.
Kosova i humbi shpresat për kualifikim direkt pas humbjes në Plzen nga Republika Çeke, e populli i Kosovës ofroi spektakël në pritjen e Anglisë, e cila na mposhti 4:0 në “Fadil Vokrri”.
Për pak muaj, Kosova luan gjysmëfinalen kundër Maqedonisë, për të kërkuar një vend në finale që mund ta çojë në Evropian.
Ylli i madh i Kosovës ka qenë sivjet Vedat Muriqi, i cili ka shkëlqyer edhe me ekipin e tij, gjiganti turk, Fenerbahce. Një vit i jashtëzakonshëm ka qenë edhe për Milot Rashicën, i cili me golat për Werderin është shndërruar ndër yjtë kryesorë të Bundesligës gjermane.