Gjykata Themelore në Gjilan ka shpall Aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit F. S. në kohëzgjatje prej njëzet (20) muaj burgim.
I akuzuari, me datë 07.04.2015, me anë të paraqitjes së rremë të fakteve me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete, e ka vënë në lajthim të dëmtuarin H. Sh., në atë mënyrë e ka mashtruar duke i shitur pronën e paluajtshme me numër çertifikate 4 – 2289, e cila pronë nuk evidentohej fare në emrin e tij, por në emër të vëllait të tij A. S..
Kështu që, ka përpiluar kontratë për shitblerjen e palujtshmërisë në shumë prej 143.130,00 Euro dhe njëjtën ka arritur të vërtetoj tek notarja Liljana Keniq, bazuar në autorizimin e falsifikuar nr. 1989/15.
Vlera e kontraktuar mes të akuzuarit dhe të dëmtuarit ka qenë 340.000,00 Euro, për të cilën shumë e ka dëmtuar të njëjtin.
Me këto veprime i akuzuari F. S., ka kryer veprat penale “mashtrim” dhe “legalizimi i përmbajtjes së rremë”, vepra të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
Gjyqtarja e Departamentit të Përgjithshëm për dispozitivin e parë të aktakuzës ka shqiptuar dënim prej 18 muaj burgim, ndërsa për dispozitivin e dytë i shqipton dënim prej 3 muaj burgim.
Konform nenit 80 paragrafit 1 lidhur me paragrafin 2 të KPRK-së, të akuzuarit i shqiptohet dënim unik në kohëzgjatje prej 20 muaj burgim.
I dëmtuari për kompensimin e dëmit material, udhëzohet në kontest civil.
Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.