Më 18 shkurt mbahet olimpiada matematike e Gjilanit (për nxënësit e klasave IX, X, XI dhe XII ). Në Olimpiadën Matematike të Kosovës (OMK) 2017, do të shpërblehen tri vendet e para për secilën klasë (IX, X, XI dhe XII), përkatësisht me 200, 150 dhe 100 EUR.
Nesër më 18 shkurt 2017, në ora 9:00 do të mbahet Olimpiada Matematike e Gjilanit (OMGJ) 2017, për nxënësit e klasave të IX të SHMU dhe nxënësit e klasave X, XI e XII të SHML të Komunës së Gjilanit.
Kjo garë do të mbahet në shkollën ,,Selami Hallaqi” në Gjilan, nën përkujdesjen e DKA-së së Gjilanit. Madhështinë e kësaj gare e rritë edhe fakti që po mbahet në 9-vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Aq më tepër që gjilanasja e re Doruntina Sylejmani, i kontribuoi afirmimit të shtetit tone duke i sjellë medaljen e pare olimpike, nga Olimpiada Botërore e Matematikës IMO 2016.
Për pjesëmarrje në këtë garë përzgjedhen më të mirët në shkollat e tyre prej nga vijnë. Nga fituesit e Olimpiadës Komunale të Gjilanit, tre të parët e secilës prej klasave IX, X, XI dhe XII formohet ekipi përfaqësues i Komunës së Gjilanit, për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike të Kosovës (OMK) 2017, që do të mbahet më 25.02.2017, në Kolegjin “Mehmet Akif” në Banullë – Lipjan.
Fituesve të OMGJ 2017, do t’iu ndahen mirënjohje, medalje dhe shpërblime tjera modeste të siguruara nga DKA në Gjilan dhe ndonjë donator eventual privat, dashamir i arsimit dhe matematikës .
Detyrat e OMGJ 2017 dhe OMK 2017, për klasën e IX, bazohen në standardin e arritshmërisë së klasës së IX, si dhe kërkohet njohje e programit mësimor të klasave paraprake shkollore.
Ndërsa detyrat e për klasat X, XI dhe XII, bazohen në standardin e arritshmërisë së së gjimnazit, drejtimi natyror, të klasës përkatëse si dhe kërkohet njohje e programit mësimor të klasave paraprake të drejtimit natyror te gjimnazit dhe klasave paraprake të SHMU.
Po ashtu detyrat e këtyre olimpiadave bazohen edhe në olimpiadat e ngjajshme të shteteve tjera dhe Olimpiadave Ndërkombëtare të Matematikës.
Olimpiadën Matematike të Kosovës e organizon Shoqata e Matematikanëve të Kosovës (SHMK). Në Olimpiadën Matematike të Kosovës (OMK) 2017, do të shpërblehen tri vendet e para për secilën klasë (IX, X, XI dhe XII), përkatësisht me 200, 150 dhe 100 EUR.
Edhe mësimdhënësit, nxënësit e të cilëve zënë tri vendet e para, do të stimulohen përkatësisht me 200, 150 dhe 100 EUR. Fituesit e OMK 2017, hyjnë në garën finale për përzgjedhjen e ekipit të Kosovës për pjesëmarrje në Olimpiadën Matematike Ndërkombëtare (IMO) 2017, të LVIII me rradhë, që do të mbahet në Brazil, prej 12 – 23 Korrik 2017, ku Kosova është e ftuar të merr pjesë për herë të shtatë, në cilësinë e anëtarit me të drejta të plota.
Gjilani me të drejtë po quhet qytet i matematikës, sepse gjilanasit deri më tani kanë arritur suksese të lakmueshme në gara të matematikës në nivel shtetëror, kombëtar dhe ndërkombëtar.
Vlen të përmenden këtu posaçërisht: Doruntina Sylejmani që i solli Republikës së Kosovës medaljen e parë olimpike, nga Olimpiada Botërore e Matematikës dhe Dorlir Ahmeti i cili është shqiptari i parë që iu pranua një detyrë në testet e këtyre olimpiadave botërore të matematikës.
Festim Shkodra, koordinator i OMGJ 2017
fotoilustruese