Pjesëtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë kanë arrestuar grupin prej 13 personave nga Komuna e Preshevës dhe Vranjës, me dyshimin se nga 15 prilli deri më 23 maj të këtij viti kanë organizuar transit ilegal të migrantëve.
Ky grup, sipas MPB-së në Vranjë, në shumë raste kanë organizuar transport ilegal të migrantëve, shtetas të Afganistanit, Sirisë dhe Kongos, të cilët në mënyrë të paligjshme kanë kaluar kufirin Maqedoni-Serbi.
Me autorizim të ushtruesit të detyrës së prokurorit të Gjykatës Themelore në Vranjë të trembëdhjetë të ndaluarve i është caktuar masa e mbajtjes prej 48 orëve.
“Në mesin e tyre, për shkak të dyshimit se kanë kryer vepër penale në vazhdimësi, kalim të paautorizuar të kufirit dhe trafikim me njerëz, gjykatësi i procedurës paraprake i Gjykatës Themelore në Vranjë, ka caktuar nga 30 ditë paraburgim për H.S. (1997), M.R. (1995), F.Sh. (1992) nga rrethina e Preshevës, D.S (1988), N.T. (1991), D.I. (1955) nga Vranje, si dhe M.M (1990) dhe I.S. (1989) nga rrethina e Vranjës”, thuhet në kumtesën e MPB-së, transmeton Titulli.com.
Të dyshuarit D.I., N.T, dhe D.S. gjithashtu ngarkohen edhe me kryerjen e veprës penale tw rasteve të veçanta falsifikimit të dokumenteve, ndërsa D.S. ngarkohet edhe për veprën penale falsifikim të dokumentit.
Nga të dyshuarit përkohësisht janë marrë shtat vetura me të cilët janë transportuar migrantët. Në pesë prej tyre targat e veturave kanë qenë të falsifikuara, kurse në një rast numrat e motorit dhe në shasi të makinës ishin të falsifikuara.
Gjykatësi për rastin paraprak i Gjykatës Themelore në Vranjë dy të dyshuar i ka liruar që të mbrohen në liri, përderisa zëvendës prokurori i Prokurorisë Themelore publike në Vlladiçki Han, pas ndalesës, tre të dyshuar i ka lënë të mbrohen në liri.