Në Zhegër të Gjilanit, më 1, 2 dhe 3 Maj, mbahet manifestimi tradicional kulturor “Ditët e Agimit 2017”, që i kushtohet nderimit të figurës poliedrike të heroit të kombit Agim Ramadani-Katana.
Manifestimi në fjalë mbahet nën përkujdesjen e kryetarit të Komunës, Lutfi Haziri, ndërsa realizohet nga Shoqata Kulturore “Ditët e Agimit”.
“Ditët e Agimit” nisin më 1 maj, me aktivitetet “Edhe me sport kujtojmë Agimin” ku do të kemi turnir në futboll të vogël, turnir të shahut dhe “Flakadanët në përkujtim të 114 dëshmorëve të Betejës së Koshares”.
Aktivitetet vazhdojnë më 2 maj, me orën e madhe letrare “Muza e Agimit” si dhe me ngjarjen sportive ne hendboll.
Më 3 maj, mbahen aktivitetet për kremtimin e ditës së shkollës SHFMU “Agim Ramadani” si dhe ditëlindjes së heroit, me vendosjen e kurorave të luleve te shtatorja e Agim Ramadanit në Gjilan si dhe me “Krosin e Lirisë”, (nga varri i Idriz Seferit deri te kroi i Agimi), për t`u përmbyllur me tubimin qendror “I këndojmë Agimit”.