Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin gjashtëmujor për të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2017

Qeveria e Kosovës ka miratuar raportin gjashtëmujor për të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2017

Bazuar në Ligjin mbi Menaxhimin e Financave Publike dhe Përgjegjësitë ministri i Financave Avdullah Hoti, sot në mbledhjen e Qeverisë ka prezantuar Raportin Gjashtëmujor të Buxhetit të Kosovës për të hyrat dhe shpenzimet për vitin 2017.

Gjatë prezantimit të Raportit, Ministri Hoti theksoi se të hyrat gjatë këtij gjashtëmujori kanë shënuar rritje prej 8% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Kjo rritje ka qenë kryesisht nga të hyrat e rregullta tatimore dhe ato jo tatimore.

Sipas ministrit Avdullah Hoti, të hyrat tatimore të mbledhura nga Dogana e Kosovës kanë arritur vlerën prej 491.47 milionë euro apo 3.8% më shumë se periudhën e njëjtë të vitit paraprak. Ndërsa, të hyrat tatimore të mbledhura nga Administrata Tatimore e Kosovës kanë arritur në 192.86 milionë euro apo rreth 9% më shumë krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016.

“Të hyrat buxhetore jotatimore të Organizatave Qendrore dhe të hyrat vetanake të dy niveleve të Qeverisë kanë regjistruar 90.95 milionë euro apo 3.5% më pak krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2016. Kjo ulje rrjedh kryesisht nga të hyrat jo tatimore të OB-ve të nivelit qendror, të cilat janë ulur mbi 14%”, shtoi Ministri Hoti.

Ai gjithashtu bëri të ditur se “të hyrat nga huamarrja kanë shënuar rritje prej 134.37 milionë euro prej të cilave huamarrja e brendshme përfaqëson 19% të huamarrjes totale, ndërsa huamarrja e jashtme gjatë kësaj periudhe ndërlidhet me distribuimin e këstit nga FMN prej 108.83 milionë euro”.

“Ndërsa sa i përket pagesave është shënuar rritje prej 7%, ku shpenzimet buxhetore kanë arritur në 760.48 milionë euro apo 7% më shumë krahasuar me shpenzimet e realizuara gjatë periudhës së njëjtë të vitit 2016”, shtoi Ministri Hoti.

KOMENTE