Futbollisti i Kosoves, Valon Berisha ka nënshkruar me skuadrën e Bundesligës, Fortuna Dusseldorf. 26 vjeçari transferohet nga Lazio në Gjermani si huazim deri në fund të sezonit.
Të dy klubet kanë rënë dakord për një mundësi blerje gjatë verës.
“Nga dita e parë, unë do të bëj gjithçka që është e mundur për të ndihmuar ekipin në mënyrë që të arrijmë qëllimin tonë të madh, të qëndrojmë në ligë. Në bisedat me Lutz Pfannenstiel, por edhe me drejtorin sportiv të Lazio, Igli Tare, i cili ka luajtur edhe për Fortuna, kam një ndjenjë tejet të mirë. Pas kësaj, me të vërtetë doja të shkoja në Fortuna”, ka thënë Berisha pasi nënshkroi kontratën.
Drejtori sportiv i skuadrës gjermane, Lutz Pfannenstiel është shprehur shumë i lumtur që e ka transferuar Valonin te Fortuna.
“Jemi shumë të lumtur që arritëm të nënshkruajmë me Valon Berishën. Me stilin e tij të imagjinatës së lojës, ai do të na japë krijimtarinë që na mungoi në njërën apo lojën tjetër të sezonit deri më tani. Shpresojmë gjithashtu që ai, si një lojtar klasik nga kutia në kuti, do të jetë në gjendje të shënojë gola shtesë nga mesfusha. Jam i sigurt se nuk do të duhet shumë kohë për t’u mësuar dhe se do të na ndihmojë shpejt“, është shprehur drejtori i skuadrës.
Berisha më parë ka qenë pjesë e skuadrave si Viking Stavanger, Salzburg dhe së fundi Lazio. Ai ka zhvilluar edhe 18 ndeshje me fanellën e Kosovës.