Zyrtarë nga Ministria e Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime, kanë qëndruar në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, ku janë pritur në një takim nga Rektori Prof. Asoc. Dr. Bajram Kosumi dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ky takim ka pasur për qëllim identifikimin dhe diskutimin rreth nevojave infrastrukturore në Universitet, që e gjithë kjo pastaj të rezultojë me studimin e fizibilitetit nga ana e Bankës Evropiane për Investim, respektivisht nga instrumenti Economic Resilience Initiative.
Rektori Kosumi ka falënderuar zyrtarët e Ministrisë së Financave dhe ata të Bankës Evropiane për Investime për interesimin e tyre, derisa ka njoftuar ata me projektet kapitale që planifikohen në të ardhmen,.
Rektori ka thënë se, ri-strukturimi afatgjatë i arsimit të lartë për të ofruar arsim cilësor në një sektor të arsimit publik të mirëorganizuar është shumë i nevojshëm.
Rektori po ashtu ka prezantu punën e universitetit, ku njëherësh ka folur rreth programeve te studimit, studenteve, stafit akademik dhe administrativ. Ndërsa duke folur për infrastrukturën e Universitetit, Rektori ka thënë se infrastrukturën nuk e kemi shumë të mirë. Ai ka thënë se aktualisht kemi nevojë për ndërtimin e një objektit të ri, por ka thënë se kemi edhe opsione tjera, të ndërtojmë një objekt të ri brenda hapësirës ku jemi dhe një ide tjetër është që të renovojmë objektin ku jemi tani për tani, e që mbështetja juaj do të ishte zgjidhje për ne.
Zyrtarë nga Ministria e Financave të Republikës së Kosovës dhe përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime në fund të takimit kanë vizituar objektin e UKZ-së për të parë infrastrukturën e tij.
Studimi i Fizibilitetit do të ndihmojë në qartësimin e nevojave infrastrukturore dhe të lehtësojë investimet në të ardhmen duke u bazuar në studim. Për çdo investim më madhor është parakusht që të ketë studim fizibiliteti.
Pas këtij takimi, nesër është paraparë të mbahet punëtoria “Infrastruktura në Arsimin e Lartë në Kosovë – Universitetet Publike” e cila organizohet nga Ministria e Financave së Republikës së Kosovës së bashku me Bankën Evropiane për Investime (EIB).