Hapja e një zyre për Luginën e Preshevës nga Qeveria e Kosovës për ofrimin e asistencës për qytetarët e asaj Krahine mundë të ketë fatin e Rezolutës së miratuar nga Parlamenti i Kosovës.
Shkruan: Refik HASANI
Rezoluta
Kujtoj opinion e gjerë se më 6 qershor 2013,Kuvendi i Kosovës miraton Rezolutën për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, ku me 74 vota pro dhe 4 kundër është miratuar teksti i rezolutës. Ndër të tjera parashikon që Kosova të kujdeset për të zhvendosurit, vendosjen e reciprocitetit mes të drejtave që gëzojnë serbët në veri të Kosovës me shqiptarët respektimin e të drejtave të shqiptarëve si dhe të hapen zyra në Prishtinë e Gjilan.
Asnjëra nga këto pika nuk janë përmbushur. Prishtina zyrtare në vend që të ngrisë mbështetjen përmes kësaj rezolute për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë është duke e ulur rolin, rëndësinë dhe mbështetjen që do të duhej tu jepte.
Zyra për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë
Më datën 28 shtator 2020 Qeveria themelon Zyrën për ofrimin e asistencës për qytetarët e Luginës së Preshevës , këtu jepet lajmi. Prandaj edhe kësaj here banorët e kësaj krahine nuk trajtohen aspak drejtë.
Kurse, më 30 dhjetor 2014, është hapur zyra për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë, vetëm në Gjilan edhe pse nuk është dashur që kjo zyrë ndërlidhëse në Gjilan të hapet ndaras nga ajo në Prishtinë dhe anasjelltas.
Koordinatori që do të udhëhiqte do të harmonizonte punët me dy zyrat duke caktuar një strategji veprimi edhe me Medvegjë, Bujanoc e Preshevë por edhe me Qeveri, Presidencë, Parlament dhe me diplomacinë kosovare nëpër botë, por edhe me Tiranën zyrtare, Shkup e qendra tjera të hapësirës sonë shqiptare dhe instanca ndërkombëtare. Sipas tij, dy zyrat së bashku do të duhej të kompletohen me koordinatorin në krye por edhe detyrat dhe përgjegjësit e tyre të caktohen. Zyra nuk filloi as me staf e as detyra e përgjegjësi të caktuara.
Komiteti për bashkëpunim ndërkufitarë për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë
Më 27 qershor 2013, është miratuar vendimi i KK të Gjilanit dhe është formuar Komiteti për bashkëpunim ndërkufitar. Ky komitet, ka kuptimin jo vetëm për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë por edhe për Kumanovë e Likovë. Komuna e Gjilanit është dashur që komitetin për bashkëpunim ndërkufitar ta funksionalizojë dhe të paraqes projekte në interes të trekëndëshit kufitar në investim e partneriteti në projekte të interesit të përbashkët në këtë trekëndësh kufitar që ndahen nga programe e grande të IPA I dhe IPA II të BE-së. Kuvendi Komunal i Kamenicës dhe i Prishtinës ende nuk ka formuar Komitetin në fjalë.
***
Ende Kuvendi i Komunës së Kamenicës, Gjilanit dhe Prishtinës nuk kanë shpallur binjakëzime, miqësime dhe vëllazërime me Komunat Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë. Ende këto tri Komuna që kufizohen nuk i kanë rekomanduar Parlamentit dhe Qeverisë për të dëbuarit, zhvendosurit dhe shpërngulurit shqiptar që vijnë nga këto tri komuna. Pra, nuk është ndihmuar kështu as me Rezolutën, Zyrën e as me Komitetin për bashkëpunim ndërkufitarë për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë të tri instancave gati prej letre. Prishtina zyrtare e aq më pak nga Tirana zyrtare si dy qendra nuk ndihmojnë as me këto tri veprime të ndërmarra si mund të ndërrojë qasja e të tjerëve ndaj kësaj krahine shqiptare të mbetur padrejtësisht nën administrimin e Serbisë. /2LONLINE.com/
/Autori, ish-Këshilltar Komunal i Gjilanit në legjislaturën 2009-2013, bëri propozimi për themelimin e Komitetit të përhershëm për bashkëpunim ndërkufitarë në seancën e IX-ët të KK- Gjilanit të datës 15 korrik 2013,. Po ashtu ka bërë disa shkrime autoriale dhe ka punime-trajtime nëpër sesione e konferenca shkencore lidhur me bashkëpunimin ndërkufitare dhe mbi rolin e rendësinë e programeve të BE-së dhe IPA. Ka dhenë propozimin për hapjen Zyrës për Medvegjë, Bujanoc dhe Preshevë në kuadër të Zyrës së Kryeministrisë së Kosovës dhe formimin e Komisioneve parlamentare të përbashkëta të Parlamentit të Shqipërisë dhe Kosovës/