/2L ONLINE/ – Drejtori i Qendrës për Punës Sociale në Gjilan, Mursel Zymberi, në konferencën e sotme për media, ka thënë se gjatë gjashtë mujorit të parë të këtij viti, janë shpërndarë mbi 2000 pako ushqimore për familjet në nevojë.
“Karakteristikë e QPS-së për këtë gjashtë mujor është vullneti për punë dhe vetëmohimi. Punëtorët social shkojnë përtej mundësive të veta për të arritur atë që dëshirohet. Gjatë kësaj periudhe kemi shpërndarë mbi 2000 pako ushqimore për familjet në nevojë, me të cilat kemi arritur t’ua lejtësojmë jetën sado pak. Ndërkaq, mbi 1095 familje janë të verifikuara dhe marrin asistencë sociale. Pra me ekipin tonë profesional dhe me mbështetjen e Komunës së Gjilanit, kemi arritur t’i përmbushim kërkesat e qytetarëve”, ka thënë Zymberi.
Zymberi tha se ka një vetëdijësim të qytetarëve sa i përket dhunës në familje dhe aspektet tjera, të cilët çdo ditë me më shumë i drejtohen institucioneve përkatëse.
Zymberi ka dhënë edhe informatën se krahasuar me gjashtë mujorin e parë të vitit të kaluar, viktimat e dhunës në familje janë në rritje për 12 raste më shumë, delikuenca e të rriturve është shtuar për 23 raste, ndërkaq fëmijë të përfshirë në punë të rënda janë pesë raste me pak se në vitin e kaluar.
“Të gjitha këto raste që janë adresuar në Qendrën për Punë Sociale i kemi trajtuar në mënyrën më profesionale të mundshme”, tha Murseli
Në fund, ai ka apeluar qytetarët që të vazhdojnë t’i ndihmojnë familjet me gjendje të rëndë sociale, duke iu drejtuar Qendrës për Punë Sociale, meqë e posedon listën e sakt e familjeve në nevojë. /2L ONLINE/