Partia për Veprim Demokratik, dega në Bujanoc ka reaguar ndaj masave diskriminues që po ndërmerren nga qeveria e Serbisë për zvogëlim të buxhetit të Këshillit Kombëtar Shqiptar.
“Është brengosës fakti se këto masa diskriminuese po ndërmerren nga partitë të cilët edhe me kryetarin e komunës së Bujanocit edhe me kryetarin e KKSH-së, Jonuz Musliu, janë në koalicion lokal. Në radhë të parë këta dy kanë për obligim që nga partnerët e vet lokal të SNS dhe SPS të kërkojnë angazhim për përmirësimin e këtyre masave diskriminuese”, thuhet në kumtesën e PVD-së, transmeton Titulli.
Sipas kësaj partie Serbia vazhdon edhe më tej me ndërmarrjen e masave për degradimin e pozitës së shqiptarëve në Luginë të Preshevës dhe se vendimi për ndarjen e mjeteve financiare për punën e Këshillave Nacionale, sipas të cilit, Këshilli Kombëtar Shqiptar do të ketë për këtë vit 740 mijë dinarë më pak se vitin e kaluar është diskriminues.
PVD vlerëson se zvogëlimi i mjeteve vjen si pasojë e përdorimit të statistikave jo të plota të regjistrimit të popullatës në vitin 2011 ku sipas këtyre statistikave, ministria në fjalë financon KNSH-në për vetëm 5800 banorë shqiptarë, që do të thotë se injoron pjesën më të madhe të shqiptarëve, duke mos njohur ata realisht.
“Një financim i këtillë i përgjysmuar, diskriminon shqiptarët e këtij rajoni dhe është i bazuar në frymën e përgjithshme antishqiptare që po mbretëron në Serbi. Kjo është edhe një tregues i qartë i mendjelehtësisë shqiptare, të cilët vërejtjet e PVD-së dhe sugjerimin e saj për bojkot të zgjedhjeve të KHSH-së e mbështettë në këto akte diskriminuese, e kritikojshin me faktin se “nuk kuptojmë se çfarë dallimi ka nëse KNSH ka 29 e çfarë ka nëse do të ketë vetëm 15 këshilltarë. Dhe kushedi, ndoshta nuk do të reagojnë sipas asaj të Jonuzit “tërhiq e mos e këput”, ka vlerësuar PVD.