Presidentja e Kosovës, Ahtifete Jahjaga pas takimit me presidentin e Zvicrës, Ueli Maurer tha se ndihma e Zvicrës vazhdon të jetë e nevojshme në integrimet evropiane si dhe stabilizimin e saj dhe ngritjes së kapaciteteve të sigurisë.
Jahjaga tha se Kosova vazhdon të jetë faktor i stabilizimit në rajon dhe këtë e ka dëshmuar edhe dialogu me Serbinë. Me zgjedhjet e zhvilluara dje në veri, po përfundojnë integrimet edhe të serbëve të veriut, tha Jahjaga.
“ Zgjedhjet komunale do të dëshmojnë kompaktësinë e vendit dhe njëkohësisht përmbyllin procesin e integrimit të brendshëm për të vazhduar me përkushtim kapitullin e integrimeve. Kjo rrugë na bashkon të gjithë neve, qytetarëve të vendit, pa dallim”, theksoi Jahjaga, transmeton RTK.
Kurse, presidenti i Zvicrës, Ueli Maurer përgëzoi presidenten e Kosovës për siç tha ai imazhin që gëzon Jahjaga në botë. Ai po ashtu tha se Zvicra do të vazhdojë edhe në të ardhmen ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve, por kërkoi më tepër stabilitet politik e siguri në vend.
“Unë jam këtu para së gjithash të bisedoj për bashkëpunimin tonë të ardhshëm, sigurisht që Zvicra është akoma e interesuar që të kontribuojë në ndërtimin e mëtutjeshëm të Republikës së Kosovës. Për Zvicrën dhe ekonominë zvicerane nevojitet edhe më tepër stabilitet i sigurisë dhe politikës gjithashtu, për të vetmen mënyrë që Kosova të bëhet edhe më tërheqëse për investimet edhe nga Zvicra” , tha ai.
Në Zvicër jetojnë mbi 170 mijë shqiptarë, ata janë të integruar, janë qytetarët të Zvicrës dhe kjo e bënë edhe më të posaçëm raportin me Kosovën, tha presidenti Maurer. Ai e ka ilustruar këtë edhe me faktin se gjysma e kombëtares zvicerane në futboll përbëhet nga kosovarët duke thënë se, Xherdan Shaqiri është vërtetë një shembull për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës.