Ministri i Financave Bedri Hamza dhe ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean-Hubert Lebe, në prezencën edhe të ministrit të Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka, kanë nënshkruar sot Marrëveshjen financiare ndërmjet Ministrisë së Financave dhe Qeverisë Zvicerane për Programin Mbështetës për Ujësjellës dhe Kanalizim në Zonat Rurale, Faza VI.
Me këtë rast, ministri i Financave Bedri Hamza, duke vlerësuar lartë nënshkrimin e Marrëveshjes me Qeverinë Zvicerane, falënderoi shtetin zviceran së bashku me taksapaguesit e tij që me fazën të VI po kontribuojnë në një sektor të rëndësishëm siç është sektori i ujit të pijes.
“Që nga marrja e mandatit në shtator të viti 2017, vazhdimisht kemi nënshkruar marrëveshje grant për qëllime të ndryshme, të cilat në një formë apo tjetrën kanë prekur kualitetin e jetës së qytetarëve të Kosovës. Kjo që po e nënshkruajmë sot është e një rëndësie jetike, pasi që ka të bëjë me sektorin e ujit, respektivisht ujit të pijes”, shtoi Ministri Hamza.
Sipas tij, kontributi i Qeverisë Zvicerane deri më tani për këtë projekt është 38 milionë franga Zvicerane, përfshirë edhe fazën VI ku kontributi është 7 milionë franga zvicerane. Nga ky projekt deri më tani 92% e qytetarëve të Kosovës janë të çasur në sistemin e ujësjellësit përderisa 80% e tyre menaxhohen nga Kompanitë Regjionale të Ujësjellësve.
Ai bëri të ditur se me fazën e VI si fazë dalëse, synohet që mbulueshmëria e menaxhimit të rritet në mbi 90 %. Sipas tij, specifikë e kësaj faze është përfshirja dhe përfitimi nga ky projekt i komunave të Leposaviqit, Mitrovicës së veriut, Zveçanit dhe Zubin Potokut. Për Kosovën dhe Zvicrën është e rëndësishme që qytetarët e këtyre komunave po ashtu të përfitojnë nga ky program që ka transformuar sektorin e ujit në Kosovë.
“Për realizimin e këtij projekti Qeveria e Kosovës ka dëshmuar gatishmërinë konkrete në përfundimin e investimit ku deri më tani kemi kontribuar me rreth 10 milionë euro dhe për fazën e VI përmes Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik pritet që të kontribuohet edhe me 10 milionë euro të tjera, të cilat janë paraparë edhe me Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve 2019-2021, pra një kontribut në total prej 20 milionë eurove. Ky fakt edhe më tutje e thekson zotimin e Qeverisë së Kosovës përmes Ministrisë së Financave dhe asaj të Zhvillimit Ekonomik për sigurim të financimit dhe buxhetit për realizim të projekteve tejet të rëndësishme për qytetarët e vendit” shtoi Ministri Hamza.
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë Jean-Hubert Lebe, shprehi kënaqësinë për nënshkrimin e kësaj marrëveshje, që sipas tij kjo është faza e 6-të e programit në mbështetje të zonave rurale me ujë dhe kanalizime, e cila njëkohësisht shënon edhe fazën përfundimtare të Programit të Ujit në zonat rurale, ku me përfundimin e këtij programi që është planifikuar të jetë në vitin 2020, ne do të kemi mbi 90% mbulueshmëri të popullsisë me një furnizim të rregullt me ujë.
“Që nga viti 2011, tre fazat e fundit të këtij Programi janë bashkëfinancuar nga Qeveria e Kosovës. Ky bashkëpunim është thelbësor për qëndrueshmërinë afatgjatë të investimeve të deritanishme në sektorin e ujit. Qeveria Zvicerane është mirënjohëse për angazhimin e treguar nga Qeveria e Kosovës në këtë drejtim.
Dëshiroj të falënderoj gjithë zyrtarët e Qeverisë të Kosovës të cilët që nga fillimi kanë qenë të angazhuar në këtë projekt, Zyrën e Bashkëpunimit Zviceran, si dhe partnerin implementues të programit Dorsch/ CDI për angazhimin dhe për punën e tyre të madhe në këtë program, i cili do të ofrojë përmirësimin e shërbimeve të ujit në mbarë Kosovën duke përfshirë edhe mbështetjen thelbësore për popullatën në komunat veriore, si dhe presim me padurim zbatimin e suksesshëm të këtij programi të përbashkët.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik Valdrin Lluka theksoi se qëllimi i këtij projekti është që të inkuadrojmë të gjitha fshatrat në sistemet e ujësjellësve rajonal për të siguruar ujë të sigurt të pijes dhe me përfundimin e këtij projekti do ti kemi mbi 91% të popullatës së Kosovës në sistemin e ujësjellësve rajonal.
“Për momentin në ujësjellësin rajonal të Kosovës i kemi rreth 81% të qytetarëve që janë të mbuluar nga këta ujësjellës dhe janë diku rreth 10% shtesë që janë me ujësjellës vetanak të fshatrave apo komunave të vogla”, shtoi Ministri Lluka.
Ai gjithashtu falënderoi Qeverinë Zvicerane për këtë projekt, por edhe për projekte të tjera, ku sipas Ministrit Lluka Qeveria e Zvicrës në vazhdimësi ka kontribuar edhe me projekte të tjera, siç janë trajtimi i ujërave të zeza në Gjakovë, Pejë dhe Prizren, të gjitha në formë të granteve, të cilat me të vërtetë janë ndihmesë e pakrahasueshme për vendin tonë.