Kombëtarja e Zvicrës ka pësuar sot humbje nga Koreja Jugore me rezultat 1:2. Ndeshja është luajtur në Seul dhe ka qenë e karakterit testues. Me këtë humbje, skuadra zvicerane ndërpret serinë prej 14 ndeshjeve me fitore dhe barazime.
Me gjithë humbjen, një lojtar ka pasur motiv të jetë i kënaqur, së paku me rezultatin e tij personal:ai është Pajtim Kasami, i cili ka shënuar golin e vetëm për Zvicrën. është ky një sukses i madh i tij, kur kihet parasysh se kjo ka qenë ndeshja e parë ku strugani ka luajtur nga fillimi. Edhe golin e tij të bukur, nga 20 metra largësi, Kasami e ka shënuar në fillim, pra në minutën 6.transmeton albinfo.ch.
Përfaqësuesja e Koresë, është treguar më e fuqishme dhe më e freskët sidomos në pjesën e dytë të ndeshjes. Në këtë pjesë, respektivisht në minutat 59 dhe 87 lojtarët koreanë kanë shënuar dy golat e tyre.
Ndërsa skuadra zvicerane ka treguar shenja lodhjeje, vlerësojnë komentuesit zviceranë të ndeshjes.