Ministria e Tregtisë dhe Industrisë (MTI) në bashkëpunim me Departamentin e Shtetit të SHBA-së për Kontrollin e Eksportit dhe Sigurinë e Kufijve të Programit -EXBS kanë organizuar Konferencën për Industrinë e Kontrollit të Mallrave Strategjike, që ka për qëllim pajisjen e sektorit privat, industrisë me informacionin, instrumentet dhe udhëzimet e nevojshme për të respektuar kontrollet e tregtisë se mallrave strategjike.
.
Me këtë rast, zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Fadil Arifi, fillimisht vlerësoi mundin, transparencën dhe gatishmërinë që kanë treguar të gjithë përfaqësuesit e institucioneve vendore dhe ndërkombëtare për të arritur objektivat e parapara në rregullimin e kësaj fushe sipas standardeve dhe ligjeve në fuqi. Ai vlerësoi edhe kontributin e çmuar në vazhdimësi të Ambasadës Amerikane në Prishtinë si dhe projektin EXBS-së.
Më tej, zv.ministrti Arifi potencoi se ky kontroll i tregtisë me mallra strategjike është i domosdoshëm për t’u siguruar se mallrat dhe teknologjia e ndjeshme të mbahet larg duarve të terroristëve dhe shteteve proliferuese për mbrojtjen e interesave të sigurisë së Kosovës; për të kufizuar ashpërsinë e konflikteve ushtarake, si dhe për të nxitur investimet në ndërmarrjet e Kosovës si partnerë të besueshëm të cilët ushtrojnë kontroll të duhur mbi teknologjinë e përparuar. “Ndërtimi i marrëdhënieve në sektorin e industrisë mund të kontribuojë në një zbatim të shëndosh, si dhe në rritje e ndërgjegjësim që mund të parandalojë shkeljet e paqëllimshme dhe njëkohësisht do të inkurajohen përfaqësuesit e fushës së industrisë që t’i raportojnë vetë shkeljet tek shteti”, u shpreh zv.ministri Arifi.
Zv.ministri Arifi, në fund të fjalimit të tij, tha se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, respektivisht përfaqësuesit politikë të saj do të jenë mbështetës kryesorë që këto procese të mos kenë pengesa, por të arrijnë qëllimin e caktuar.
Ndërsa, këshilltari rajonal i EXBS-së, George Clarke, tha se kontrolli i mallrave strategjike ka të bëjë me ndalimin e gjitha materialeve të ndaluara që cenojnë sigurinë kombëtare të Kosovës. Po ashtu, Clarke shtoi se Ambasada Amerikane do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në këtë sektor.
Arton Muçaj, u.d. i drejtorit të Departamenti për Tregtinë me Mallra Strategjike në MTI, bëri të ditur se deri më tani ky departament, në regjistra, ka bërë regjistrimin e 43 kompanive të cilat kanë shprehur interesim për këtë proces, që është faza paraprake dhe e obligueshme para aplikimit dhe marrjes së licencës për këto veprimtari të këtyre kompanive. Ai shtoi se nga këto kompani disa janë për tregtim të armëve dhe disa për tregti të mallrave me përdorim të dyfishtë.
Po ashtu, Muçaj i njoftoi përfaqësuesit e këtij sektori se për të aplikuar për regjistrim dhe për të marrë leje për mallra me përdorim të dyfishtë licenca është një shumë simbolike vetëm 5 euro.