Mark Zuckerberg ka shprehur shqetësimet e thella mbi valën e madhe që po kthehet kundër globalizimit. Në një intervistë me BBC-në, themeluesi i rrjetit social “Facebook” tha se lajmet e rreme, pikëpamjet e polarizuara dhe “flluskat e filtrimit” po shkatërrojnë mirëkuptimin e përbashkët.
Ai ka thënë se njerëzit janë lënë pas dore nga rritja globale, duke nxitur kërkesat për t’u tërhequr nga lidhja e botës. Në thirrjen e tij për veprim, ai shprehet se njerëzit nuk mund të “ulen përreth si të mërzitur”, por të veprojnë për të ndërtuar infrastrukturat sociale.
“Kur themelova Facebook-un, misioni për të lidhur botën nuk ishte aspak kontrovers. Ishte pikërisht si një supozim që kushdo e kishte në mendje. Çdo vit bota u lidh gjithnjë e më shumë dhe u duk se pikërisht në këtë drejtim po shkonin të gjitha gjërat. Tashmë, ky vizion po bëhet gjithnjë e më kontrovers”.
Më tej, ai rrëfen për BBC-në se “ka njerëz anembanë botës që ndihen si të lënë mënjanë nga globalizimi dhe nga ndryshimet e shpejta e drastike që kanë ndodhur, e për këtë arsye po krijohen lëvizje që po kërkojnë pikërisht tërheqjen nga kjo lidhje globale”.
Intervista e Zuckerberg erdhi së bashku me publikimin e një dokumenti prej 5.500 fjalësh, të cilin ai e ka shkruar për të ardhmen e “Facebook”-ut dhe ekonomisë globale…
Për më tepër shih në: Burimi: TOP CHANNEL