(Për vëllimin poetik të Sinan Sadikut, “Nata rri zgjuar”, i posabotuar përmes Shtëpisë botuese “Beqir Musliu”, Gjilan 2019)
Shkruan: Sherafedin Kadriu
Vëllimi poetik “Nata rri zgjuar” (2019) është i treti me radhë, të cilin autori, Sinan Sadiku, e boton pas njëzet vjet krijimtarie. Ky titull metaforik në vetvete është sa asociues aq edhe shumëkuptimor. Si i tillë, asocion me terrin trishtues e shtimin e zullumit, me grykësinë kundruall varfërisë, me vjedhjen kundruall ndershmërisë, me gënjeshtrën kundruall së vërtetës,me padijen kundruall dijes…
*
Për të parë funksionalitetin e tërësisë së këtij vëllimi poetik duhet ndalur tek motoja e krijimit, që është pesimizmi i veshur gati me absoluten. Shkaqet e zhgënjimit të së sotmes konkrete janë nga më të ndryshmet, janë të çdo fushe jete, ndërsa i piketuar del të jetë zhgënjimi në fushën e moralit politik. Atë e gjejmë në poezitë e ciklit të parë Vjeshtë në vargun tim, bile edhe në pjesën dërmuese të poezive të ciklit të dytë. Po ashtu, Aeroporti i ëndrrave, jo në tërësinë e tij, përfaqëson ciklin për të trishtën, që, më së paku, ngacmon dinjitetin edhe si rikujtim.
Në këtë kontekst, dje ishte e natyrshme “të të digjeshin ëndrrat e blerimit”, se ishte Vrasësi që “…kënaqej kur ëndrrave/ua thyente krahët/ua verbonte sytë/ua shëmtonte fytyrën, dashtë Zoti tani mund të jetë harruar/mund ta kenë vrarë ëndrrat/mund të jetë verbuar”(Vrasësi i ëndrrave).
E rëndë si kohë, edhe më e vështirë si jetë, megjithatë ishin rrethana të kuptueshme – ishte pushtim.
Po sot?! Kush i ka fajet sot? Apo faji shfajëson fajin, e lëkura e mëkatit e nxë një det të tërë …(Lëkura e mëkatit), në këtë përditshmërinë tonë, ku dikush me dikë luan, dikush dikujt ia luan (Loja e fjalëve)- do të shprehej poeti. Zhgënjimi vjen e rritet mu pse ata që thanë jemi dielli jemi drita dhe u betuan/ta ndërtojnë shtëpinë e re/për vete për ne (Shtëpia oxhaku), mbollën shkretëtirë/në kohë dhe hapësirë. U habitën më pas, apo erdhën të babëzitur, një Zot e di! Po për njëzet vite me radhë atdheu është kafshatë e vogël/për gojën e tyre të madhe (Shtëpia oxhaku).
Njëzet vjet pas lirisë fenomeni i babëzisë s’ka të pushuar, vetëm sa po rritet. Një dukuri e tillë, jo rastësi, s’ka sesi të mos ndjehet, edhe nëse nuk të prekë personalisht. I frymëzuar nga ky fenomen i stërkequr, autori nxjerr mllefin në shqiptimin e tij poetik duke të nemitur njëkohësisht me guximin qytetar për të mos heshtur, ani pse fjala e tij “nuk do të ketë peshë, e as do të shpojë veshë”. Janë vargjet e poezisë “Fjala ime”, një parathënie programatike për vëllimin me poezi “Nata rri zgjuar”. Jo vetëm në këtë poezi, por në tërë librin, poeti del i ndjeshëm para lexuesit, i sinqertë me veten e tij, skajshmërisht ironik me prijësit, e krejt sarkastik me grigjën e tyre, sidomos kur orakulon për kotësinë e fjalës poetike.
Pra, Sinan Sadiku nuk është si disa poetë oborrtarë që u thurin lëvdata atyre që edhe qiellin e kanë mrrolur, e i kanë dhënë trajtë të të ramit n’bela! Vetëm një formësim intelektual, moralizues e kundërshtues gjer në skajshmëri, vetëm një poet rebel që s’e ka për gjë ta ketë mik mjerimin, nuk hesht. S’ka frikë fare për ta thënë të vërtetën. E thotë pa i bërë syri tërr. Ka trashëguar ai nga të parët e tij dashurinë për atdhe të lirë, për punë të mirë, për mikpritje, për besë të dhënë, të mbajtur medoemos. Nuk e ka të njohur populli im, e duhet ta dijë, se shtëpia e familja e këtij poeti qe jatak që ka bërë historinë për katër vite radhazi duke e ruajtur patriotin e kësaj ane, Mulla Idriz Gjilanin, kundërshtarin politik e ushtarak të shtetit të ri sllav që po lindte në trojet arbërore.
Mu këtu i ka rrënjët guximi qytetar e poetik i Sinanit, prandaj poezia e tij flet ndryshe për të sotmen, në vargjet e tij, kryesisht vjeshtë, teksa shfaqet e vetmja ndërdyjë, në mos po i bëjmë shërbim një dimri të sertë! Dhe jo vetëm në këtë rast, tërësia e këtij vëllimi poetik, ka një frymë thellësisht dëshpëruese, le të jetë edhe e zbehtë. Në këtë kontekst, notat e tilla, të zbehta medoemos, ose më saktë skajshmëria zhgënjyese, a cilado qoftë prej tyre, pashmangshëm shpërfaqin burimësinë poetike të leksikut të poezive të këtij vëllimi, që si sforco tentojnë ta drejtojnë lexuesin, bile edhe ta bindin për ta besuar profecinë e orakullit. E orakulli është vetë poeti; poezia e tij është orakulare (sipas Parimit poetik të E. Allan Posë).
Megjithatë, çfarëdo të jetë qëndrimi i poetit, lexuesi ka të drejtën e tij të mendojë ndryshe. E rëndësishme është se poezitë e këtij autori komunikojnë me lexuesin, ndërsa ky i fundit nuk pengohet që të kërkojë lumturinë për njerëzit e vet.
E para është mundja e zhgënjimit të shtrirë qartazi në tërësinë poetike. E këtë mund ta bësh, nëse beson se në këtë zallahi handraqesh, “do të rritet njeriu i mirë” (Mbahu lum miku).
E dyta është shpresa për ndryshime të dëshiruara me patjetër, që duhet zbuluar në thellësinë e mendimit metaforik, që shpërfaqet si nëpër mjegull, ngjashëm me ironinë fanoliste.
Ky formësim intelektual e krijues, herë del si moralizues, e herë tjetër si përshkrues i aktit të përmbytjes shoqërore, e një herë të tretë del edhe si kërkues i të pamundshmes(!), siç e konsideron poeti përmbysjen për së mbari të papërballueshmes. Ndodh kështu për arsye se autori vetëm në të mirën e përgjithshme sheh kategorinë e perspektivës në të sotmen e djallëzuar.
E mira nuk vjen vetë, as e keqja. Duhet punë për të, duhet kohë për të. Dhe jo vetëm poetit i duhet ta zë kohën. Ai ngutet ngadalë, si urtakët e kohës (jo urtarët, siç e njeh FDSH), duke qenë njëkohësisht i matur dhe i rreptë, e jo rrallë edhe përçmues ndaj të paguximshmëve. Të tillë e takojmë edhe në dy veprat e botuara më parë: Rrobat e engjëllit (1999) dhe Shigjetat e lakmisë (2009). Vepra e tretë, Rendi i vlerave në poezinë bashkëkohore, 2013, është libër vlerësimesh kritike, që flet për vokacionin e tjetër të Sinanit.
Në veprën e parë “Rrobat e engjëllit” autori ka treguar për vendosmërinë e tij që të mos paraqitet para lexuesit dosido, sepse thënien artistike nuk e çmon fjalë të thënë në rrugë e sipër. Ai do ta latojë fjalën, e jo ta nxjerrë ashtu si i vjen. Kështu ka vepruar edhe me veprën e dytë, “Shigjetat e lakmisë”, që dukshëm shënon ngritje estetike, ide tematike, intelektualizëm, e emocione të stërholluara, ndërsa vepra e tretë, “Nata rri zgjuar”, sjell një poezi mllefesh të thella, që janë harmonizuar në vargje artistike, duke e bërë lexuesin të ndjejë e ta përfillë të shëmtuarën e vështruar në strukturën gjuhësore artistike. Ndodh kështu, sepse poeti e do krijesën e tij, e do jashtë mase, sa nuk parapëlqen që dikush tjetër (redaktor e recensent) të ndërhyjë në ndonjë thënie të tij, e cila në një mënyrë do të dilte nga stili i tij, edhe sikur të ishte më e goditur.
Në këtë kontekst shoqëror e poetik, ndoshta është vëllimi unikat që sjell poezi të kallura nga zhgënjimi. Fund e krye. Zhgënjim është bota që e rrethon, është bota që e dekurajon, të cilën poeti nuk është në gjendje ta ndërrojë, prandaj nuk do as ta rindërtojë sipas dëshirës së tij; nuk jetohet me iluzionet që s’kanë një bazë reale. Kjo qasje dhe shqiptim na e përkujton atë sëmundjen e shek. XIX, mal dy siécle, si përsëritje situatash krejtësisht zhgënjyese.
Poezia e Sinan Sadikut shquhet edhe për njëjtësimin intelektual, që zbulohet kur vendoset në marrëdhënie me zhgënjimin. Ndërsa, njësia emocionale përcillet thjesht si spontanitet që rrjedh në varg e përtej vargut: në mendjen dhe zemrën e poetit, po dhe të lexuesit.
Nga poezitë më të arrira si strukturim artistik do duhej përmendur: Vargje përkujtimi, Antologji lirie, Vetëm emri, Lëkura e mëkatit, Ky kaos, Tre vargsha, Vrasësi i ëndrrave, Shtëpia oxhaku etj.
Dy poezitë përkushtuese, ajo për Ibrahim Ibishin, një mikun e poetit që nuk jeton më, me titull Vargje përkujtimi, dhe tjetra për heroin Agim Ramadani, me titull Antologji lirie, ngërthejnë magjinë e shkrimit, që është e zorshme për t’u arritur, e shpeshherë të kallë zjarrmia për një fjalë a për një varg mungesor. E pra, Sinan Sadiku, ia ka arritur që në këto dy poezi të shpërfaqë njësitë intelektuale, artistike, si dhe strukturën e etimologjisë poetike:
Kur kishe zjarrmi
ballin ta flladiste
një kaçurrele që vraponte pas erës
(Vargje përkujtimi, Ibrahim Ibishit)
ose:
Ti ishe ti je poezia
je kënga
je piktura e atdheut
(Antologji lirie, Agim Ramadanit)
Poezia Vetëm emri është strukturuar si një dramë në tre akte: fshati që është zbrazur (njëqind arsyet që mund t’i radhisësh), shtëpia e Mulla Idrizit, që tashmë është gërmadhë, por në vend të saj dikush ka vendosur flamurin kombëtar në degën më të lartë të Lisit të Vetun dhe arkeologjia që s’ka kazmë për Gjytetin e tij, i cili kot mundohet të na flasë/të na tregojë diçka për kohët njerëzit jetën.
Poezia Humbje për …, e ndonjë tjetër, fshehin në vete çështje të ngritura individësh, miqsh të zgërdheshur për një fitore të humbur, a humbje të fituar. Sqarimi kësaj here vjen në trajtë këshille prozaike:
E more miku im
fitorja jote
që aq shumë e deshe
aq shumë ju gëzove
aq gjatë e festove
paska qenë humbje
sipër mua
si për ty
Do ta shohësh
kur të hiqet kjo mjegull e mallkuar
(Humbje për…)
Janë rrethanat shoqërore ato që kanë ndikuar në formësime idesh dhe strukturime të këtilla, me një figuracion të zgjedhur.
Në këtë vëllim poetik janë edhe disa poezi të çasteve intime, të cilat i përkasin ciklit me titull Si të humba. Ato janë motivuar nga e djeshmja, si kujtim a përmallje për diçka që ka ikur njëherë e përgjithmonë, që s’kthehet më.
“Tani e tutje
mund të takohemi vetëm në kujtime
po pati mirësinë të na i falë vetmia”
(Këmisha e natës)
Në poezitë e këtij cikli, shprehimësia e derdhur që në krye të herës s’ka nevojë të çrëndomësohet, sepse thellësorja duhet parë jo vetëm si prirje artistike, por edhe si pjekuri e shprehjes poetike. Teknika e vargut në poezitë e këtij cikli është përshtatur me përmbajtjen, përmallimin a kujtimin, rrjedhën e vargut dhe melodinë e lehtë, e rrallë ndonjëherë sjell një tip lirike popullore, për dallim nga dy ciklet tjera, te të cilat vargu lirik ka dhe një përmasë të shprehjes epike.
Poezitë, përgjithësisht, kanë një ritëm të lehtë e mesatar sa i përket shpejtësisë, jo kumbues, që vjen si rrjedhojë e mjeshtërisë së thyerjes së vargut dhe mos pikëzimit njëkohësisht. Si i tillë, ritmi i jep një përmasë magjie tërësisë poetike.
Me një fjalë një përmbledhje cilësore poetike.