(2L ONLINE)- Klubi i Hendbollit Zhegra është njëri ndërë klubet e pakta gjilanase që bëjnë gara në rangjet elitare të sporteve në Kosovë. Vendi nga burojnë plotë talentë rrezikon të shterret nëse nuk afrohen donatorë të rinj për t’i ndihmuar klubit i cili është në gjendje mjaft të rëndë.
Barajm Isufi, kryetar i KH Zhegrës, flet ekskluzivisht për Portalin ‘’2L ONLINE’’, lidhur me klubin. Fillimisht ai thekson nevojën e madhe të kushteve infrastrukturore që i mungojnë katanasve.
“Ne realisht nuk kemi fare infrastrukturë. Nuk kemi sallë për stërvitje, me ç’rast na duhet të udhëtojmë mbi katër herë në javë për në Palestrën e Sporteve në Gjilan dhe kjo po kushton me të vërtetë sepse ne nuk kemi vetëm skuadrën e parë por edhe kadetët dhe Juniorët. Me forcat tona vetanake dhe me një vullnet të jashtëzakonshëm të kryesisë së klubit po ia dalin të gjendemi disi”, thotë Isufi.
Fondet e derdhura në drejtim të klubit nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar këtë gjendje si pasojë e saj edhe objektivat e klubit kanë ndryshuar. Janë kryesisht mërgimtarët që jetojnë në vendet Perëndimore dhe anëtarët e kryesisë të cilët kontribuojnë me mjete financiare.
“Klubi financohet kryesisht nga anëtarët e kryesisë të cilët ndajnë kafshatën e gojës për ta mbajtur gjallë klubin. Një kontribut të veçantë kanë dhënë edhe bashkëfshatarët të cilët jetojnë në Diasporë të cilët na kanë ndihmuar disa herë dhe tani para festave të fundvitit shpresojmë ta bëjnë prapë në mënyrë që ti plotësojmë disa kërkesa elementare për funksionimin e klubit. Gjithashtu dhe Drejtoria për Sport në Komunën e Gjilani ka ndarë një shumë simbolike në fillim të sezonit por ajo është e pamjaftueshme”, potencon Isufi i cili shpreson edhe në ndonjë ndihmë sado të vogël nga ylli i Bayernit të Munichut, Xherdan Shaqiri.
Dikur zhegranët aspironin majat e hendbollit kosovar por tani objektivat janë krejtësisht të kundërta. Fillimi i sezonit u nis me mjaft vështirësi dhe shumë probleme, ndërkohë që nëse nuk eliminohen ato klubi rrezikon të mos i vazhdojë fare garat.
“Për shkak të rrethanave të krijuara në Komunën e Gjilanit e kemi filluar sezonin me mjaft vështirësi. Edhe ashtu me mjaft mund dhe probleme e kemi mbyllur një gjysmëstinor i cili nuk ka qenë i kënaqshëm. Nëse nuk grumbullojmë fonde për pjesën pranverore të kampionatit ne do të tërhiqemi nga garat”, thekson kryetari i zhegranëve.
Më tej Isufi thekson se fati i klubit varet kryekëput nga financat dhe me ardhjen e tyre do të vinin edhe përforcimet gjë e cila do të ishte alternativa e vetme për t’i shpëtuar rënies nga liga.
Federata është e heshtur
Një problem tjetër sipas Isufit është edhe politika të cilinë po e bën Federata. Kuotizimi dhe elemente të tjera janë futur në rregullore me çka edhe janë dëmtuar materialisht skuadrat elitare.
“Kuotizimi më herë nuk ka qenë në rregullore ndërsa tash ne duhet të paguajmë për të luajtur në elitë derisa nuk po marrim asgjë. Federata duhet të jetë për t’i ndihmuar klubet jo për t’i shuar. Asnjë zyrtarë i Federatës nuk ka qenë për ta vizituar Klubin e Hendbollit Zhegra për të parë nga afër me problemet të cilat ballafaqohen ndërsa për të pranuar para po”.
Djepi i talenteve
Në mesin e shumë fatkeqësive ka edhe fatmirësi. Klubi i Hendbollit Zhegra ka një akademi të jashtëzakonshme që ka ditur të prodhojë talentë të hendbollit dhe vazhdon ende të kultivon me këtë frymë. Katër hendbollistë nga Zhegra janë reprezentues të Përfaqësueses U21 të Kosovës, ndërkohë njëra nga ta shumë shpejtë pritet t’i bashkohet një klubi mjaft të madh gjerman.
“Për momentin kemi katër reprezentues në U21, të cilët gjinden në përgatitje. Është portieri Armir Agushi, fundori i majtë Ahmet Emini, fundori i djathtë Shkodran Shaqiri dhe fundori i qendrës Alban Haziri. Ky i fundit para një muaji ishte në prova të skuadra e famshme gjermane HSV Hamburg dhe është vlerësuar pozitivisht nga ekspertët gjerman. Brenda vitit të ardhshëm Albani vetëm se pritet të jetë pjesë e saj”, thotë Isufi.
Një bashkëpunim ndërmjet Hamburgut dhe Zhegrës është mjaft i mundshëm dhe shumë shpejt pritet të hapin një shkollë të përbashkët hendbolli në Kosovë për të nxjerrë talentë për dy klubet.
“Duke iu falenderuar anëtarit të kryesisë HSV Hamburg, Dieter Jost dhe bashkatdhetarit Saqip Arifi, kemi biseduar që dy klubet të formojnë një shkollë hendbolli për nxjerrjen e talentëve për dy ekipet”, thotë Isufi.
Në fund, ai falënderon të gjithë ata që kontribuuan në Klubin e Hendbollit Zhegra dhe fton dashamirët, bizneset e institucionet ta shtrijnë dorën për tëi ndihmuar klubit me traditë në vend.
/Drilon SYLEJMANI/ 2L ONLINE/