Një proces i rregullt zgjedhor është krucial për interesat e Kosovës, sepse këto zgjedhje do të mbahen, për herë të parë, në gjithë territorin e vendit dhe në përputhje me ligjet e Kosovës. Kështu është shprehur gjatë një interviste për Kosovapress, shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Samule Zhbogar. Ai ka shtuar se integrimi i veriut nuk fillon as përfundon me zgjedhjet, pasi ai është një proces, i cili duhet të vazhdojë.
Sipas tij, shqiptarëve si shumicë që janë, u takon të komunikojë hapur me vetë serbët, në mënyrë që t’u sigurojnë se Kosova është shtëpi e përbashkët në të cilën ata mund të ndihen rehat dhe ta bëjnë jetën e tyre të papenguar. Në këtë mënyrë, sipas tij, rruga integrues e Kosovës në Bashkimin Evropian përshpejtohet, shkruan rtk.
Zhobogar, ka thënë, gjithashtu, se Marrëveshja e Stabilizim – Asocimit me Kosovën është ndryshe nga marrëveshjet me shtetet tjera pasi është e mundur që pas traktit të Lisbonës, Bashkimi Europian, ta negocioj këtë marrëveshje me Kosovën dhe gjithashtu ta nënshkruaj dhe çoj atë në Parlamentin Evropian, pa ratifikim nga Parlamentet e shteteve anëtare.
Sipas tij, këta janë tregues që Bashkimi Evropian e do Kosovën përbrenda kësaj familje, andaj, në këtë rrugë, ka një sërë detyrash që duhet kryer, përpara se të hapet porta.