(2L ONLINE) – Nënkryetari i Komunës së Gjilanit Rexhep Kadriu, me bashkëpunëtorë, ka parë nga afër punimet që janë duke u kryer në rregullimin emergjent të urës në fshatin Përlepnicë, e cila ishte dëmtuar në masë të madhe gjatë reshjeve të fundit.
Kjo zgjidhje bëhet përkohësisht deri në rregullimin e urës sipas standardeve që parashihen, ngase e njëjta në këtë kohë bëhet vetëm për të mundësuar qarkullimin e qytetarëve të kësaj pjese të fshatit.
Me këtë rast nënkryetari Kadriu, ka thënë se ky është një intervenim emergjent në mënyrë që banorët e këtij fshati të kenë mundësinë e qarkullimit të lirshëm.
“Po bëjmë një intervenim dhe zgjidhje emergjente, në mënyrë që banorëve të kësaj pjese t’u mundësohet një qarkullim më i lehtë në këtë pjesë të fshatit. Kjo është dëmtuar prej kohësh, mirëpo dëmtimi më i madh ndodhi gjatë reshjeve të fundit që e kapluan Gjilanin. Jemi të përkushtuar që të krijojmë lehtësira për qytetarët tanë, t’ua lehtësojmë qarkullimin dhe të kenë më të lehtë edhe qasjen në pjesën tjetër të pronave të tyre. Do të punojmë gjatë të ardhmes gjithashtu edhe në kanalizimin e fshatit që është një brengë e të gjithë neve, natyrisht kjo do të bëhet në disa faza”, tha nënkryetari Kadriu.
Ai ka potencuar që do të rregullohet edhe rruga brenda varrezave të fshatit të cilave u mungon një gjë e tillë dhe është vështirësuese gjatë vizitave në varreza.
Ndryshe, në Komunën e Gjilanit gjatë reshjeve të fundit janë shkaktuar disa dëmtime infrastrukturore të disa urave por edhe dëmtime të kulturave bujqësore. /2L ONLINE/