Numri dy i Komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet me Jashtë, ligjvënësi demokrat Eliot Engel, lëshoi një deklaratë në lidhje me zgjedhjet e fundit për pushtetin komunal në Kosovë duke uruar qytetarët e saj për zgjedhjet e 3 nëntorit.
”Dua të uroj qytetarët e Republikës së Kosovës, të cilët votuan të dielën më 3 nëntor në zgjedhjet për pushtetin komunal. Procesi i votimit, në përgjithësi ishte transparent, i menaxhuar mirë, i rregullt dhe pjesëmarrja ishte relativisht e lartë në mbarë Kosovën. Këto zgjedhje paraqesin një hap të rëndësishëm përpara për demokracinë e re të Kosovës, për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për rrugën e Kosovës drejt integrimit Euro-Atlantik”, tha Engel.
Ai dënoi veprimet e dhunshme në ditën e zgjedhjeve në Mitrovicën veriore.
”Megjithatë, unë e dënoj fuqishëm dhunën në ditën e zgjedhjeve në disa vendvotime në veri të Kosovës. Unë u bëj thirrje autoriteteve të hetojnë dhe të ndjekin penalisht autorët e veprimeve të dhunshme, të cilët u përpoqën të parandalonin qytetarët nga ushtrimi i të drejtës së tyre themelore për të zgjedhur përfaqësuesit e tyre. Unë gjithashtu u bëj thirrje autoriteteve në Beograd të bashkëpunojnë plotësisht me Prishtinën dhe EULEX-in në hetimin e incidenteve. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se këto incidente nuk i heqin vlerën procesit zgjedhor, i cili ishte i suksesshëm dhe do të avancojë përpjekjet për stabilitet dhe demokraci në Kosovë dhe në rajon”, thuhet në fund të deklaratës së ligjvënësit Eliot Engel. (Zëri i Amerikës)