Zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbahen me 8 qershor. Zyrtarizimi i kësaj date u bë sot nga e presidentja e vendit Atifete Jahaga, një ditë pas shpërbërjes së Kuvendit të Kosovës. Në një konferencë për media presidentja Jahjaga bëri thirrje për një fushatë të dinjitetshme të partive politike dhe pjesëmarrje sa më masive të qytetarëve në procesin zgjedhor.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga ka deklaruar se bazuar në konsultimet me liderët e partive dhe me KQZ-në ka marr vendimin që zgjedhjet e parakohshme të mbahen me 8 qershor. Ajo tha se pas shpërbërjes së Kuvendit ka takuar liderët politik për datën e zgjedhjeve, pasi që vendi ka hyrë në një proces të rëndësishëm zgjedhor.
“Bazuar në konsultimet politike në vend dhe me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe bazuar në kompetencat e mia kushtetuese si dhe në respektimin e afateve ligjore, kam marrë vendimin për dekretimin e zgjedhjeve të parakohshme në vend me datë 8 qershor”.
Jahaga tha se këto zgjedhje duhet të dëshmojnë gatishmërinë tonë për të garantuar votën e lirë të qytetarëve të Kosovës. E para e vendit bëri thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.
Që nga ky moment i bëjë thirrje gjithë spektrit politik në Kosovë për një fushatë zgjedhore të dinjitetshme dhe të gjithë qytetarëve të vendit pa dallim që të marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme të 8 qershorit për të siguruar një proces të drejtë, sepse këto zgjedhje shënojnë një test të rëndësishëm të zhvillimit të demokracisë së vendit tonë”, tha ajo, transmeton RTK.
Presidentja po ashtu bëri të ditur se për të garantuar një proces të rregullt zgjedhor do të kërkojë nga Bashkimi Evropian të dërgojë edhe një mision vëzhgues në Kosovë.
Ndryshe, një ditë më parë me 90 vota për, 4 kundër dhe 3 abstenime u shpërnda Kuvendi i Kosovës.