Shpallja e zgjedhjeve parlamentare më 8 qershor do të shtyjë mbajtjen e Provimit Shtetëror të Maturës. Zëvendësministri i Arsimit, Nehat Mustafa, njëherit edhe kryetar i Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës, konfirmoi se datat do të ndryshojnë, për arsye se Qendrat e Testimit, që janë shkollat, do të shfrytëzohen edhe për Qendra të Votimit.
Ndërkohë, ai bëri të ditur se janë bërë të gjitha përgatitjet për mbarëvajtjen e provimit shtetëror të maturës, ku pritet t’i nënshtrohen rreth 43 mijë maturantë.
Në planet dinamike të Komisionit Qendror Shtetëror të Maturës ishte paraparë që dita e parë e mbajtjes së testit të maturës të jetë 7 qershori, kurse dita e dytë 21 qershori. Por, me shpalljen e zgjedhjeve që do të mbahen më 8 qershor, këto data do të shtyhen për një javë. Zëvendësministri i arsimit, Nehat Mustafa, tha për Radio Kosovën se shumë shpejt do të merret vendimi për zhvendosjen e datave, duke bërë të ditur se testi do të mbahet më 14 dhe 28 qershor.