Me synim të koordinimit dhe bashkëpunimit më të frytshëm ndër-institucional drejt adresimit të dhunës në familje, u zhvillua një takim produktiv mes Zëvendësministres së Drejtësisë, Dr. Nita Shala dhe Kryesuesit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, z. Albert Zogaj.
Palët u dakorduan për përfshirje më aktive të përfaqësuesve nga radhët e gjyqësorit në aktivitetet e Grupit Koordinues Ndër-Ministror kundër dhunës në familje; në hartimin e Strategjisë Kombëtare dhe Planit të Veprimit kundër dhunës në familje 2022-2026; si dhe nismën për plotësim/ndryshim të Ligjit për mbrojtje nga dhuna në familje.
Znj. Shala dhe z. Zogaj shprehën gatishmëri për ndërmarrjen e nismave tjera konkrete që garantojnë më shumë mbështetje nga ana e institucioneve për viktimat e dhunës në familje.
Duke e njohur rëndësinë e mbledhjes së të dhënave mbi rastet e dhunës në familje dhe domosdoshmërinë e analizimit së këtyre të dhënave, me synim të ndërrmarrjes së nismave që garantojnë adresim më të drejtë të këtyre rasteve, znj. Shala dhe z. Zogaj, ranë dakord për tu koordinuar që të garantohet një bashkëpunim sa më efektiv mes dy institucioneve drejt parandalimit dhe adresimit të dhunës në familje, dhunës ndaj grave, dhunës në baza gjinore dhe ngacmimeve seksuale.