Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla dhe Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari, të shoqëruar nga Shefi i Kabinetit të Ministrit, Hasan Hoxha dhe Shefi i Kabinetit të Komandantit, kolonel Ilir Qeriqi, kanë marrë pjesë në takimin virtual të radhës të Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes së Ukrainës, të drejtuar nga Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd J. Austin III dhe Shefi i Shtatmadhorisë së forcave amerikane, Gjeneral Mark Milley, të cilët u adresuan nga Pentagoni.
Ky është takimi i radhës së ministrave dhe shefave të mbrojtjes të mbi 50 vendeve aleate të SHBA-së nga e gjithë bota, të cilët diskutojnë krizën e Ukrainës, masat dhe veprimet për mbrojtjen e saj nga agresioni rus, si dhe çështjet e tjera të sigurisë, me të cilat përballen aleatët dhe partnerët e NATO-s.
Me pjesëmarrjen e sotme më këtë takim të Zv.ministrit Syla dhe Gjeneral Jasharit, u dëshmua sërish se Republika e Kosovës është e vendosur dhe e përkushtuar maksimalisht, përkrah aleatit tonë të pazëvendësueshëm, SHBA-së, në mbrojtje të vlerave euroatlantike si: paqja, liria dhe demokracia, mbrojtjen e Ukrainës dhe gjithë vendet e popujt liridashës dhe paqedashës në Botë. /2LONLINE/