Zëvëndësministri i Shëndetësisë Izet Sadiku priti sot në takim përfaqësuesit e “Asociacionit Kosovar për Përkrahjen e Pacientëve me Leukemi Kronike” (CML Kosova). Kryetari i kësaj shoqate, z. Jeton Lika, e njoftoi Zëvendësministrin Sadiku me qëllimet, angazhimet dhe problematikat me të cilat ballafaqohen pacientët e diagnostifikuar me CML (Leukemi Kronike Myeloide), për sigurimin e terapisë si dhe çështjet të tjera me rëndësi për pacientët.
Zëvendësministri Sadiku i ka njoftuar ata me angazhimet e Ministrisë për të siguruar shërbime sa më adekuate shëndetësore për qytetarët e vendit dhe theksoi se MSh do të angazhohet për të siguruar zgjidhje të qëndrueshme për këtë kategori pacientësh, në përputhje me protokollet ndërkombëtarë për trajtimin e tyre.
Në këtë takim, u bë e ditur se më 22 shtator, edhe në Kosovë do të shënohet Dita Ndërkombëtare e Leukemisë Kronike Myeloide me aktivitete të ndryshme.