“Performanca e mirë e Ministrisë së Financave është arritur si rezultat i ndërmarrjes së reformave në financat publike e të cilat kanë mundësuar shfrytëzimin racional të parasë publike”, tha zëvendësministri i Financave Agim Krasniqi sot në Konferencën e 9-të vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit, me temë “Fuqizimi i llogaridhënies, transparencës dhe integritetit të institucioneve të sektorit publik, përmes zbatimit të rekomandimeve të Auditorit të Përgjithshëm”.
Në fjalën hyrëse të tij, zëvendësministri Agim Krasniqi përgëzoi Zyrën Kombëtare të Auditimit për organizimin e kësaj konference dhe për përmbylljen e procesit të auditimit, si njërit prej proceseve më të rëndësishme të funksionimit dhe qëndrueshmërisë së institucioneve të Republikës së Kosovës.
Ai gjithashtu përgëzoi Zyrën Kombëtare të Auditimit dhe Auditorin e përgjithshëm Besnik Osmanin, i cili njëherit është edhe Auditori i përgjithshëm i parë vendor që ka Kosova, për punën që po bëjnë në identifikimin e nevojave për ndryshime, duke u siguruar kështu një transparencë dhe llogaridhënie më të lartë të institucioneve të Republikës së Kosovës.
Zëvendësministri Agim Krasniqi theksoi se Ministria e Financave çdoherë i trajton me seriozitet të gjeturat nga Raportet Vjetore të Auditimit dhe me përkushtimin më të madh angazhohet në përmbushjen e rekomandimeve që dalin nga këto Raporte.
“Ne si Ministri e Financave kemi punuar vazhdimisht në rritjen e nivelit të transparencës dhe të llogaridhënies gjatë realizimit të proceseve. Këtë e vërtetojnë edhe të gjeturat nga Raportet Vjetore të Auditimit për Ministrinë tonë, të cilat tregojnë për transparencën e llogaridhënies të lartë”, tha Zëvendësministri Krasniqi.
Ai gjithashtu bëri të ditur se” Ne i vlerësojmë shumë të gjeturat e paraqitura, të cilat vërtetojnë një prezantim të drejtë dhe të vërtetë të Pasqyrave Vjetore Financiare të Ministrisë së Financave, në përputhje me Standardet Ndërkombëtare dhe me legjislacionin në fuqi. Të gjeturat nga këto raporte vërtetojnë edhe progresin e MF-së në aspektin e Qeverisjes, ku vlerësohet progresi në aspektin e raportimit menaxherial dhe llogaridhënies”.
“Po ashtu, të gjeturat vërtetojnë se MF-ja ka shënuar progres edhe në aspektin e menaxhimit financiar dhe të kontrollit, që dëshmon për një proces të mirë të rishikimit dhe siguri në zbatimin e legjislacionit dhe proceseve të tjera të kontrollit. Përveç kësaj, ne i vlerësojmë edhe të gjeturat, të cilat identifikojnë fushat në të cilat ka nevojë për përmirësime nga ana e Ministrisë së Financave, dhe me shumë seriozitet jemi duke punuar në përmbushjen e rekomandimeve në këto fusha”, shtoi Zëvendësministri Krasniqi.
Ai bëri të ditur se Ministria e Financave bazuar në rekomandimin e ZKA-së, ka hartuar Planin Zhvillimor Strategjik të Ministrisë së Financave (2017-2019), i cili përmban në vete orientimet e Ministrisë për periudhën e lartcekur.
Zëvendësministri Krasniqi bëri të ditur se Ministria e Financave ka aprovuar Rregullën fiskale, e cila e kufizon deficitin buxhetor në 2% të GDP-së.
“Kjo pra ka ndikuar në rritjen e stabilitetit financiar të vendit. Kemi filluar implementimin e sistemit elektronik të prokurimit e-Prokurimi, në nivelin qendror dhe atë lokal, duke siguruar kështu transparencë në shfrytëzimin e parasë publike dhe duke eliminuar mundësinë e keqpërdorimit të saj. Kemi vendosur rregullën e cila e përcakton rritjen e pagave bazuar në rritjen nominale të GDP-së. Kemi hartuar Udhëzimin Administrativ për Vlerësim të Ndikimit Buxhetor për Nismat e Reja Qeveritare, të cilat kërkojnë financim gjatë procesit të rregullt buxhetor, për t’u siguruar se ekzistojnë mjetet e mjaftueshme për çdo iniciativë të re që parashihet të ndërmerret. Kemi avancuar sistemin e fiskalizimit dhe proceset tjera relevante, gjë që ka rezultuar në uljen e informalitetit, si dhe kemi ndërmarrë një sërë reformash fiskale, të cilat kanë përmirësuar ambientin biznesor në vend, e rrjedhimisht kanë ndikuar në rritjen e të hyrave”, shtoi Zëvendësministri Krasniqi.
Hapjen e Konferencës së 9-të vjetore të Zyrës Kombëtare të Auditimit e bëri Auditori i Përgjithshëm Besnik Osmani, në të cilën pjesëmarrës ishin edhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit të Republikës së Shqipërisë Bujar Leskaj, profesori i Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Prishtinës Muhamet Aliu, si dhe auditorët e përgjithshëm të Zyrës Kombëtare të Auditimit të Republikës së Kosovës.