DYLON

Komiteti i Prodhimit i Odës Amerikane diskuton me MF dhe ATK mbi nevojat e sektorit

Komiteti i Prodhimit i Odës Amerikane diskuton me MF dhe ATK mbi nevojat e sektorit
Avatar photo Redaksia

Në mbledhjen e Komitetit të Prodhimit të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë me përfaqësues nga Ministria e Financave dhe Administrata Tatimore e Kosovës u diskutua rreth çështjeve të cilat e afektojnë këtë sektor, ku fokus i veçantë iu kushtua nevojës për identifikimin e entiteteve prodhuese përmes një numri identifikues.

Kryesuesi i Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane, Kujtim Gjevori, duke vlerësuar reformat e bëra në aspektin fiskal të cilat kanë mundësuar për rritjen e kompanive prodhuese në Kosovë, theksoi domosdoshmërinë e identifikimit të duhur të kompanive që i përkasin këtij sektori në mënyrë që të mundësohet një vlerësim i drejtë dhe i barabartë, e që do t’i paraprinte çështjeve të ndryshme me ndikim thelbësor për zhvillimin e mëtutjeshëm të këtij sektori në të ardhmen si në aspektin e qasjes më të lehtë në financa ashtu edhe në luftimin e konkurrencës jolojale.

Lulzim Rafuna nga Ministria e Financave theksoi se ky institucion është i hapur për propozime dhe rekomandime të cilat kanë për qëllim fuqizimin e sektorit privat në përgjithësi. Ai tha se Ministria e Financave është e fokusuar në hartimin e politikave të cilat janë të orientuara në frymën e biznesit e të cilat nuk paraqesin vështirësi në zhvillimin e sektorit privat. Andaj, Rafuna konsideroi se një numër i tillë identifikues do të bënte diferencimin e duhur në mes kompanive prodhuese dhe të tjera, e që rrjedhimisht do të shërbente në rritjen e konkurrencës së drejtë në mes të tjerash. Megjithatë, ai shtoi se një gjë e tillë duhet të bëhet përmes përcaktimit të qartë të kritereve identifikuese.

EkoHigjiena

Nahit Sharku nga Administrata Tatimore e Kosovës poashtu u pajtua mbi rëndësinë e pajisjes së entiteteve prodhuese me numër identifikues pasi që konsideron se një gjë e tillë ndikon edhe në adresimin e çështjeve tatimore, dhe lehtëson në përgjithësi operimet edhe për Administratën Tatimore. Në këtë drejtim, Sharku tha se mirëpret idenë e Komitetit të Prodhimit të Odës Amerikane për pajisjen me numër identifikues dhe që mbetet në dispozicion për zhvillimin e këtij koncepti.

Në fund, palët u dakorduan mbi nevojën për hartimin e një drafti fillestar të modalitetit të zbatimit të kësaj ideje e cila do të përfshinte kontributet e akterëve të rëndësishëm në fushën e prodhimit, në mënyrë që kriteret identifikuese të jenë gjithëpërfshirëse.

Privatësia

Kjo faqe interneti përdor cookie në mënyrë që t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme si përdorues. Informacioni i cookie-ve ruhet në shfletuesin tuaj dhe kryen funksione të tilla si njohja juaj kur ktheheni në faqen tonë, si dhe ndihmon ekipin tonë të kuptojë se cilat seksione të faqes ju duken më interesante dhe më të dobishme.