Zëvendësministri i Mbrojtjes, Shemsi Syla, sot vizitoi Agjencinë për Menaxhimin e Emergjencave (AME), ku u prit nga drejtori ekzekutiv, Genc Metaj, të cilin e uroi për marrjen e detyrës së re dhe i shprehu mbështetjen për suksesin e tij në këtë rol të rëndësishëm.
Në takim u diskutua për rëndësinë e përgatitjes dhe reagimit ndaj situatave të jashtëzakonshme, si një komponent kyç i sigurisë kombëtare.
Po ashtu, u theksua domosdoshmëria e koordinimit në vlerësimin e rreziqeve, hartimin e planeve të reagimit emergjent dhe garantimin e vijueshmërisë së shërbimeve kritike në rast të sfidave të paparashikuara.
Me këtë rast, z. Metaj ndau përkushtimin e tij për ngritjen e kapaciteteve të AME-së dhe për koordinimin efektiv me institucionet tjera për menaxhimin e emergjencave.
Zëvendësministri Syla u shpreh se vizitat e realizuara në infrastrukturat kritike të vendit, si liqenet, sistemet e furnizimit me ujë, rrjetet energjetike dhe telekomunikimet, përforcojnë rëndësinë e një bashkëpunimi të ngushtë me AME, për të siguruar mbrojtjen dhe funksionalitetin e këtyre resurseve kyçe. /2LONLINE/