Zëvendësministri i Ministrisë së Financave, Fatmir Gashi ka pritur sot një delegacion të Ministrisë së Financave të Landit të Bavarisë të Republikës Federale të Gjermanisë, të kryesuar nga Norbert Rossmeisl, përfaqësues i lartë i Ministrisë së Financave të Landit të Bavarisë, ku u diskutua për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, me theks të veçantë në fushën e financave.
Zëvendësministri Fatmir Gashi, me këtë rast falënderoi delegacionin e Ministrisë së Financave të Landit të Bavarisë, për ndihmën dhe bashkëpunimin që ka pasur deri më tani me Ministrinë e Financave të Kosovës dhe agjencitë e saj vartëse, në veçanti mbështetja për Reformat në Financat Publike si dhe në ngritjen e kapaciteteve në Administratën Tatimore të Kosovës.
Ndërsa, përfaqësuesi i delegacionit të Ministrisë së Financave të Landit të Bavarisë Norbert Rossmeisl, shprehi gatishmërinë e Ministrisë së Financave të Landit të Bavarisë që së bashku me projektin për Financa Publike të implementuar nga GIZ-i në emër të Qeverisë Federale të Gjermanisë, të vazhdohet bashkëpunimi edhe në të ardhmen, si dhe ofrimin e ndihmës së tyre për institucionet e Kosovës për realizimin e projekteve strategjike.